Thaçi nuk tërhiqet për kufirin: Bisedimet me Serbinë duhet të përfundojnë me njohje reciproke

Aug 17, 2018 | 18:53
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të premten se përfundimi i bisedimeve me Serbinë duhet të përmbyllët me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ai i bëri këto komente nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter.

“Fundi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe shënimin e kufirit 400 kilometra në mes të dy vendeve, duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata tjera. Opinionet tjera rreth rezultateve të këtij dialogu, janë të pakuptimta apo interpretime false“,thuhet në postimin e presidentit Thaçi.

thaci-vcicic

Ditëve të fundit janë shtuar idetë për ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo ‘korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova e ka hedhur poshtë ndërkaq idenë e ndarjes tokësore të saj, por është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Ideja e tij është kundërshtuar nga pothuajse të gjithë udhëheqësit politik në Kosovë, të cilët pohojnë se ato mund të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç vazhdon të ritheksojë se do të vazhdojë të luftojë për ndarjen dhe për t’u siguruar serbëve më shumë se sa që kanë tash për tash në Kosovë.

Presidenti serb tha se të premten se “është gati dhe e di çmimin që duhet paguar për guximin në Serbi, për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, ndërsa paralajmëroi vizitën më nëntë shtator në Kosovë, për të diskutuar siç tha me serbët drejtimin që politika e Serbisë planifikon të ndjekë përballë Kosovës.

Debatet e ditëve të fundit, nxitën reagime të shumta edhe te faktorët ndërkombëtarë perëndimor.

Të hënën kancelarja gjermane Angela Merkel tha se tërësia tokësore e Ballkanit Perëndimor është e pandryshueshme dhe se një qëndrim i tillë duhet përsëritur sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura