Teatri i Operës e Baletit nderohet “Arrëthyesi i Artë” në Romë

Jun 24, 2016 | 19:50
SHPËRNDAJE

Sakrificat e mëdha të balerinëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë të cilët nuk e kanë braktisur skenën, pavarësisht vështirësive të mëdha e ndoshta edhe mungesës së vlerësimit që meritojnë, duket se po shpërblehen disi.

teater

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nderohet me çmimin “Arrëthyesi i Artë”, në Romë. Në Galanë e Festivalit Ndërkombëtar “Della danza e delle danze”, që mbahet më 25 qershor, do të dorëzohet çmimi “Lo Schiaccianoci d’Oro 2016″, i cili këtë vit vjen në Tiranë.

Duke filluar prej ditës së sotshme, deri më 25 qershor, ditën e ceremonisë së çmimeve, në Romë të Italisë do të mbahet festivali ndërkombëtar “Della danza e delle danze”. Gjatë ditëve të këtij festivali, emra të mëdhenj të baletit do të ngjiten në skenë me performancat e tyre.

Ndër të ftuarit specialë të këtij edicioni të dytë do të jetë edhe balerina shqiptare Ambeta Toromani me partnerin e saj në skenë dhe në jetë, Alessandro Macario, që do të interpretojnë një “pas de deux” nga baleti klasik “Kopelia” me koreografi të Amadeo Amodio.

Një tjetër i ftuar do të jetë balerini Kledi Kadiu, ndërkohë që kumbara e festivalit është e madhja Carla Fracci, e cila një vit më parë meritoi “Arrëthyesin e Artë” për karrierën e saj të shkëlqyer në baletin botëror. Por nata e tretë e festivalit i dedikohet më së shumti baletit dhe muzikës shqiptare.

Teatri Kombëtar i Operës e Baletit dhe Ansamblit Popullor do të ngjisin në skenën e “Sanstello di Borgia” dy performanca, ku ndërthuret baleti modern dhe ai klasik, tradita dhe modernia, të interpretuara nga trupa e baletit të TKOBAP. Trupa e baletit do të interpretojë një pjesë nga vepra “No Comeco”, me koreografi të Daniel Cardoso dhe “La Sylphide”, me koreografi nga F. Taglioni.

Ndërsa shpirti shqiptar do të vijë me një “Kaba”, që do të prezantohet para publikut italian me koreografi të Genti Dodës.

Më 25 qershor do të dorëzohet çmimi “Lo Schiaccianoci d’Oro 2016″ për Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, për kontributin dhe dedikimin e këtij teatri në zhvillimin e artit dhe baletit në veçanti. Lajmi për dhënien e këtij çmimi u dha në fund të muajit prill, përmes një letre që drejtoresha e festivalit i drejtonte drejtorit të TKOBAP-së, Ilir Kerni.

“Jam e nderuar t’ju komunikoj zyrtarisht që Komiteti i Themeluesve të festivalit ka vendosur t’ju akordojë në unanimitet Çmimin Ndërkombëtar ‘Lo Schiaccianoci d’Oro 2016’ për seksionin “L’Eccellenza dei Teatri nel Mondo”, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës. Çmimi, një vepër e realizuar nga artisti Enrico Manera, do t’ju dorëzohet ditën e shtunë, më 25 qershor, gjatë mbrëmjes gala të festivalit që do të mbahet në orën 21:00 në Kështjellën Borgia në Nepi.

Ju përgëzoj për çmimin e merituar”, i shkruan drejtorit Kerni, drejtorja artistike e festivalit, Maria Pia Liotta.

Sipas kësaj të fundit, ky çmim “përfaqëson një mirënjohje kundrejt artistëve të mëdhenj, eksponentëve të vlefshëm në këtë fushë, për dedikimin e tyre besnik ndaj këtij arti madhështor, si ai i Tersikores (Muzës mbrojtëse të kërcimit dhe lirikës korale) dhe që e kanë kthyer kërcimin në shprehje të jetës së tyre”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura