Të përndjekurit: Qëndresa antikomuniste të hyjë në historinë zyrtare.

Sep 9, 2013 | 14:33
SHPËRNDAJE

Kolec Topalli, Agron Tufa dhe Uran Butka, dje në promovimin e librit
Në 67-vjetorin e ngjarjes së Postribës u promovua libri i Uran Butkës.

Zbardhen arkivat për kryengritjet e Malësisë së Madhe, Postribës dhe Zhapokikës 1945-1948.

Shqipëria nuk ishte vetëm i fundit shtet komunist “shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, por edhe kryengritësja e parë antikomuniste.
Flet për këtë kryengritja e Malësisë së Madhe, e Postribës dhe e Zhapokikës (1945-1948). Pasardhësit e të pushkatuarve, të dënuarve me burg pas këtyre kryengritjeve, kërkojnë sot që kjo e vërtetë të dalë sheshit. Edhe pse faktet ekzistojnë nëpër arkiva, historianët shqiptarë nuk e kanë parë ende të udhës t’i përfshijnë ato në tekstet zyrtare të historive. “Si ka mundësi që nuk i gjejmë ato në tekstet e historisë, shkollore e universitare, kur vetëm njëra prej tyre ka zgjatur më shumë se Lufta e Spanjës. Kjo është apoteoza e fshehjes së të vërtetës”, do të thoshte dje Agron Tufa, drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).
Promovimi
Me rastin e 67-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës (9 shtator 1946), u promovua dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, libri studimor i historianit Uran Butka, “Kryengritjet e para kundërkomuniste”. Një botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), që sipas Agron Tufës nis sezonin e promovimeve të kolanës prej 11 librash “Ad Memorandum”, në të cilin bën pjesë. U zgjodh data 8 shtator për promovimin e këtij libri, jo pa qëllim. Kjo datë përkon me vigjiljen e shpërthimit të njërës prej kryengritjeve më të fuqishme antikomuniste në Shqipëri, e cila u ndoq nga të tjera akte qëndrese, që u shtypën me gjak. Në librin “Kryengritjet e para kundërkomuniste” ofrohen dokumente dhe fakte mbi tri kryengritje, ajo e Malësisë së Madhe, e Postribës dhe Zhapokikës. Sipas dr. Pjetër Pepës, arsyeja pse historiani Butka ka shkruar këtë libër dhe të tjerë paraardhës të këtij lloji është “qëllimi fisnik i lehtësimit të dhimbjeve të atyre që kanë vuajtur, por edhe të të afërmve të tyre, si dhe ndriçimi i së shkuarës historike”. Sipas tij, në 310 faqe libër gjen shumë pak komente personale të autorit dhe shumë dokumente, fakte dhe materiale që janë mbledhur prej Butkës, për të qenë sa më objektiv dhe për të mos ndikuar te lexuesi, i cilitdo krahu e duke lënë atë të nxjerrë vetë përfundimet. Sipas ish-të përndjekurit politik, poetit Uran Kostrci, libri i Uran Butkës “tregon katërçipërisht qëndresën e së djathtës nacionaliste dhe tradhtinë e komunistëve, që të nxitur nga serbët e dogjën Shqipërinë”. Për poetin Bardhyl Londo, përvjetori i kryengritjes së Postribës është një moment reflektimi, por edhe një moment që të bën të ndihesh krenar e jo të ulësh kokën. “Kur në gjysmën e Europës ishte instaluar komunizmi, Shqipëria ishte e para që u ngrit kundër tij. Është një moment krenarie, por edhe reflektimi, për të parë historinë tonë, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e groposur, e manipuluar dhe e fshehur për qëllime ideologjike. Tanimë është një rilindje edhe e historisë, edhe pse ka ende punë për t’u bërë. I kam lexuar të gjithë librat e Uran Butkës dhe te të gjithë kam gjetur diçka që më ka vlejtur. Kur kam lexuar mbi kryengritjen e Tivarit apo të Zhapokikës, për të cilat kisha dëgjuar, kuptova se sa e pakët ishte njohuria ime mbi to”, tha Londo. “Ky libër është shkruar me një ndershmëri dhe me respekt të madh për të vërtetën historike. Autori nuk spekulon për ta përpunuar atë”, thotë ai, duke përfunduar se libri i Butkës është një vlerë e shtuar në veprat historike të viteve të fundit. Vetë autori Uran Butka u shpreh se të tria kryengritjet që ai përshkruan në librin e tij, janë frymëzuar nga ideali i lirisë, nga kundërshtimi që iu bë komunizmit dhe ruajtja e dinjitetit kombëtar. Ai premtoi se do ta pasurojë më tej këtë libër duke përshkruar idetë perëndimore të intelektualëve shkodranë. “Kryengritja e Postribës, kokën e kishte në Shkodër, kurse gjymtyrët në Malësinë e Madhe”.

Djali i Jup Kazazit, Hamza Kazazi
“I zhgënjyer, im atë s’figuron as në listat e të vrarëve”

Nje nga organizatoret e kryengritjes se postribes, JUP KAZAZI, i vrare, rrethuar nga ekzekutuesit komuniste
I biri i njërit prej organizatorëve të kryengritjes së Postribës, Jup Kazazit, Hamzai, 67 vjet pas ngjarjes dhe më shumë se 2 dekada demokraci, ndihet i zhgënjyer. “Demokracia nuk i ka dhënë vendin që meriton Jup Kazazit. Ende nuk figuron në listën e të vrarëve”, thotë ai, jo me pak keqardhje. I biri i njeriut që kërkohej gjallë a vdekur nga Enver Hoxha e Koçi Xoxe, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në internim dhe në punë krahu, ndërsa numëron 9 të vrarë dhe 11 të burgosur me nga 5-22 vjet heqje lirie. Kazazi kërkon që të zbardhet e vërteta. “Arkivat duhet të dixhitalizohen, të bëhen të aksesueshme. Unë kam gjetur dokumente mbi ngjarjen që nuk ka mundur t’i gjejë
Hamza Kazazi
zoti Butka, teksa tregon për një letër që Mit’hat Frashëri i dërgon Jup Kazazit. Ndërsa kryengritësit i kishin vendosur lidhjet e sigurta në veri me familjet e Mirakajve, Markagjonajve etj., Mit’hat Frashri i ofronte ndihmën e tij, duke i propozuar emra njerëzish dhe adresa në Durrës, Shijak e Vlorë, ku kryengritësit mund të mbështeteshin.

Agron Tufa: Faji për obskurantizmin e historisë, i historianëve
Faktet janë aty, e megjithatë në më shumë se 20 vjet demokraci asnjë historian nuk i ka përfshirë ato në librat e historisë, në tekstet shkollore dhe universitare. Bëhet fjalë për kryengritjet antikomuniste, të cilat ende sot lihen në harresë dhe pak njihen, sidomos nga brezi i ri. Këtë shqetësim e ngriti dje Agron Tufa, i shprehur edhe në parathënien e librit “Kryengritjet e para kundërkomuniste”. Ndër të tjera, ai shkruan:
“Nëse do të bënim sot një anketim nëpër shkollat dhe universitetet tona të shumta me pyetjen e thjeshtë: ‘A ka pasur në Shqipëri rezistencë antikomuniste?’, atëherë do të marrim si përgjigje vetëm një ngritje të dyshimtë supesh. Ose ndonjë kundërpyetje sqaruese: “çfarë, çfarë thatë?”. Mbase në maksimumin e shpresuar, do të kishim një përpjekje për të ndërmendur diçka të paqartë rreth Postribës, edhe atë, të dëgjuar shkaras në shtyp, me raste jubilesh përkujtimorë. Por në përgjithësi, jo vetëm lexuesi i gjerë, por as studenti i specializuar nuk e ka idenë sot për rezistencën antikomuniste në vitet e para të diktaturës komuniste. Ata janë në gjendje të të flasin për rebelimin qytetar antikomunisto/antisovjet me ngjarjet që përfshinë Hungarinë komuniste në vitin 1956. Dhe këtë gjë, me siguri e kanë mësuar si një fakt i gjithëpranuar në mbarë Europën, si revolta e parë e hapur në kampin komunist. Por absolutisht sot, studentët tanë nuk kanë asnjë ide për kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, që datojnë 10 vjet më parë se protesta hungareze. Për këtë obskurantizëm (në kuptimin latin të fjalës), meritën ekskluzive e kanë historianët tanë të partishëm në periudhën postkomuniste. Pikërisht kundërshtimi i komunizmit me armë, që u bë në Shqipëri fill pas luftës, në mënyrën më koshiente duhet të kishte qenë një ndër temat qendrore, e madje më madhore të mësimdhënies fill pas rënies së komunizmit shqiptar. Por dihet një zakon i vjetër: huqi del shumë kohë pas vdekjes. Ose, akoma më keq, me pseudohistorianët tanë: nuk del fare”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura