Të përndjekurit, 3 mijë emrat që përfitojnë dëmshpërblimin

Sep 30, 2015 | 12:19
SHPËRNDAJE

Foto ilustruese
Foto ilustruese
Afati për plotësimin e dosjes tre muaj, për familjarët edhe 4 milionë USD

Financat: Vonesa në ndarjen e parave, shkak dokumentet

Mosdorëzimi i dokumenteve ka sjellë vonesa në ndarjen e parave për ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre. Të paktën ky është argumenti që jep Ministria e Financave në lidhje me ngadalësimin e procesit të dëmshpërblimit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Financat kanë hedhur dritë mbi paratë e shpenzuara përgjatë këtyre muajve, si edhe pjesën e mbetur të fondit vjetor që pritet të ndahet deri në fund të vitit.

TRASHËGIMTARËT
Mësohet se për trashëgimtarët janë edhe rreth 4 milionë dollarë, nga ku pritet të përfitojnë këstin e dytë 2987 familje. “Lidhur me mospagesat e këstit të dytë për trashëgimtarët, sqarojmë se ky proces nuk ka pasur vijimësi. Një nga shkaqet ka qenë mangësia në dokumentacion. Për realizimin e pagesës së këstit të dytë për trashëgimtarët është publikuar lista e plotë e dosjeve që nuk kanë marrë këstin e dytë. Janë gjithsej 2987 dosje. Në faqen zyrtare të Ministrisë është publikuar informacioni mbi procedurën që do të ndiqet dhe dokumentacionin që duhet të dorëzohet, si dhe afatet ligjore për dorëzimin e dokumenteve”, bëhet e ditur nga Financat. Deri më tani janë trajtuar me dëmshpërblim rreth 1100 familje, nga ku 800 kanë marrë pagesën e parë. Ndërkohë kanë mbetur ende trashëgimtarë që nuk kanë përfituar asnjë këst. “Sqarojmë se mospagesa e këstit të parë për kategorinë joparësore dhe raste të mosshpërndarjes korrekte të vlerës së miratuar ka rezultuar mungesa e dokumentacionit të dërguar nga përfituesit, nga mosndarja korrekte e vlerës, si një problematikë e trashëguar nga pagesat e kryera në vitin 2009- 2013, si dhe disa pasaktësi të kryera në këtë periudhë, të cilat po korrigjohen në pagesat e kësteve vijuese”, thekon më tej Ministria e Financës në njoftimin për shtyp.

KATEGORIA PARËSORE
Për kategorinë e të dënuarve që janë gjallë, fondi i mbetur është minimal. Bëhet fjalë për rreth 45 mijë dollarë në total. Ministria e Financave konfirmon se gjatë këtij viti është paguar kësti i pestë për 904 dosje, kanë mbetur për t’u paguar edhe 1280 të tjera. Ajo që bie në sy është fakti që edhe në këtë rast ministria vë në dukje se shkak për mosndarjen e parave është mosplotësimi i dosjes. Por ky argument duket i pavend po të shihet shifra e lekëve të mbetura nga fondi i adresuar. “Lidhur me disa nga problematikat e shfaqura dhe ankesat e përfituesve, si ato të mospagesës së kësteve të 4-5, për kategorinë parësore, sqarojmë se pagesat nuk janë realizuar për mungesë dokumentacioni, të përcaktuar në aktet nënligjore për përfituesit si dhe janë ende në analizë dokumentacionet e mbërritura, sipas kategorive të përcaktuara në ligj”, thuhet në njoftim.

AFATI PËR DOKUMENTET
Familjarët e ish-të përndjekurve do të kenë tre muaj afat për të depozituar dokumentet e nevojshme pranë sektorit të pagave dhe dëmshpërblimeve. “Për pagesën e këstit të dytë, afati i plotësimit të dokumentacionit është 3 muaj nga data e publikimit të listës, me përfundimin e këtij afati jepet një afat shtesë deri në 30 ditë. Kur një ish-i dënuar politik ose trashëgimtari apo trashëgimtarët e ish-të dënuarit politik refuzojnë të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara si më sipër, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim”. Sakaq, vlen të theksohet se personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit. Pas këtij harku kohor, e drejta e dëmshpërblimit do të hiqet.

Listen e plote e lexoni duke klikuar ketu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura