“Të jesh neutral do të thotë të mbash anën e agresorit”- Josep Borrell në Këshillin e Sigurimit: Lufta në Ukrainë sulm mbi themelet e OKB-së

Jun 17, 2022 | 10:37
SHPËRNDAJE

Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell ka folur në Këshillin e Sigurimit në OKB se bota ka nevojë që këshilli të jetë në gjendje të marrë vendime dhe të mbrojë njerëzit jeta e të cilëve varet nga ai.

74b03bd0-86de-4e3f-b673-bfa97ae9a127

Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, Borrell deklaroi se ajo nuk është vetëm një luftë europiane por sulm mbi themelet e OKB-së dhe këshillit të sigurimit.

“Karta e OKB-së i ka besuar këtij Këshilli ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Pra, të ulesh në Këshillin e Sigurimit është një përgjegjësi e madhe. Bota ka nevojë që ky Këshill të jetë në gjendje të marrë vendime dhe të mbrojë njerëzit, jeta e të cilëve varet nga ai.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ardhur në krye të këtyre problemeve strukturore dhe i ka përforcuar ato. Ajo ka lënë tashmë dhjetëra mijëra të vdekur dhe mbi 5 milionë refugjatë – kriza e refugjatëve në rritje më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Lufta zhvillohet në Evropë, por kjo nuk është një luftë evropiane. Ky është një sulm mbi themelet e OKB-së dhe këtij Këshilli të Sigurimit, nga një anëtar i përhershëm i Këshillit”, tha Borrell.

Ai nënvizoi se është e pamundur të mendosh se tensionet e sigurisë nuk do të ndikojnë në ekonomi duke shtuar se ajo ka përkeqësuar krizën globale të ushqimit dhe energjisë.

“Në një botë të globalizuar, nuk ka “të largët”. Gjithçka është afër të gjithëve. Një luftë ose një krizë e madhe sigurie në një rajon prek të gjithë. Është gjithashtu e pamundur të ‘ndash’, të mendosh se tensionet e sigurisë nuk do të ndikojnë në ekonomi. Ne mund ta shohim atë nga valët tronditëse që lufta e Rusisë kundër Ukrainës po dërgon në mbarë botën, duke përkeqësuar një krizë globale të ushqimit dhe energjisë.

BE-ja është plotësisht e mobilizuar për ta mbajtur Ukrainën ekonomikisht në këmbë dhe ushtarakisht të aftë për të mbrojtur popullin e saj, integritetin e saj territorial dhe demokracinë e saj. Dhe ne i bëjmë thirrje çdo anëtari të OKB-së, i madh e i vogël, të ndihmojë Ukrainën duke bërë të njëjtën gjë.

Përballë agresionit, askush nuk mund të jetë neutral. Të jesh neutral në këtë rast do të thotë të jesh në anën e agresorit. Askush nuk mund të jetojë i sigurt në një botë ku përdorimi i paligjshëm i forcës normalizohet ose tolerohet”, deklaroi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura