Të isha socialist, do gëzohesha pafund kur Berisha e baltos Bashën kësisoj …

Sep 24, 2021 | 9:25
SHPËRNDAJE

ARTUR ZHEJI

Artur-ZhejiVetëm pak kohë më parë nuk mund të mendohej kurrë kjo që po ndodh këto kohë, edhe sikur të futeshin në punë fantazistët më të mëdhenj, do të dukej surreale. Dhe do të dukej krejt sajesë pa kripë që “Babai” politik i Lulzim Bashës, mentori dhe “protektori” i tij numër një, të shndërrohet sot në akuzonjësin më të madh, në akuzuesin më gojëprishur dhe më gojërëndë të Lulzim Bashës. Gjykuar vetëm nga fillimet e Berishës kundër Bashës, gojërëndësia dhe gojëprishësia nga ana e Doktorit do vijë gjithmonë e më në rritje.

Ashtu si është rëndom në stilin e tij, ai pritet të akuzojë Bashën në çdo detaj të jetës së tij. Kështu si ka filluar do të shajë e do ta denigrojë dhe do të përgojojë pa asnjë kufizim, edhe më rëndë sesa vetë Ramën. Me fjalorin pikant, agresiv dhe destruktiv, tipik berishist. Me siguri, Doktori për t’i bërë sa më interesante dhe sa më spektakolare “foltoret” (në të vërtetë e ka gjetur bukur këtë emërtim!), do shkojë thellë e më thellë, larg e më larg… Aq sa shpesh më shkon në mendje: “Mos vallë është edhe poliagjent ky Lulzim Basha?!”.

Ndërkohë që në radhët e para të këtij spektakli aq sa tragjik, po aq edhe komik, qëndrojnë socialistët gazmorë dhe patronazhistët e vëmendshëm, ministreshat apo bejlereshat, drejtorët milionerë të Shqipërisë së re, specialistët e rrugëve dhe të asfalteve, që fërkojnë duart të gëzuar, të harbuar dhe çakërrqejf. Ata, sigurisht, mezi presin që edhe Basha të “zbresë në fushën e betejës verbale dhe ta ndezë edhe më shumë Berishën dhe spektakli të arrijë majat.

Mirëpo, Basha ka zgjedhur vetëpërmbajtjen dhe deri tani ia ka dalë të mos jetë pjesë e spektaklit, duke e lënë Berishën krejt vetëm dhe pa as më të voglën replikë direkte. Ndërkohë që “fabula e Doktorit” me argumente konspiracioni (marrëveshje e fshehtë Soros-Rama-Basha) dhe me një thikë që ngulet pas shpine, duket se po konsumohet me shpejtësi dhe po bie në përsëritje. Sepse është e madhe ngarkesa e tij emocionale, shpërthyese dhe pa vetëpërmbajtje. Me agresivitetin e tij të njohur, Doktori duket se i shkoi deri në fund mllefit të tij të papërmbajtshëm anti-Basha.

Dhe me një shpejtësi po aq të madhe, duket se po i shteron qypat e vrerit, duke u bërë i parashikueshëm, në shpalljen befas: të “armikut shumëplanësh Lulzim Basha!”. Po Basha? Çfarë duhet të bëjë ai? Sigurisht, bëri mirë që e ndërpreu “heshtjen” për këtë temë. Por ndoshta duhet të flasë më shumë dhe më qartë. Ndoshta të mbrohet duke mos e sulmuar “babën idhnak”. Gjithashtu, Basha duhet politikisht të ndihmojë më shumë shqiptarët që të kuptojnë më mirë dhe më qartë “rolin e aleatit amerikan” në këtë krizë. Duke dekodifikuar sa më shumë të jetë e mundur komunikimin me opinionin publik, në lidhje me amerikanët, duke kaluar, pra, nga gjuha e koduar, në një gjuhë më dyst taban… *360grade.al

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/