Të drejtat e autorit, BE: Në Shqipëri ligji duhej më herët, ka shumë pirateri

Apr 27, 2016 | 13:10
SHPËRNDAJE

“Në Shqipëri ka shumë pirateri. Ligji duhej bërë më parë”. Kështu është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Europian, Yngve Engstroem, dje gjatë konferencës “Reforma në sistemin e pronësisë intelektuale – sfidë, angazhim për integrimin europian si dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, zhvilluar në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Fushatë sensibilizimi për të drejtat e autorit
Fushatë sensibilizimi për të drejtat e autorit

Vetëm pak ditë më parë, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për të drejtat e autorit, çka u përshëndet nga Engstroem, sipas të cilit integrimi kërkon përafrimin e legjislacionit, por përtej kësaj, me më shumë rëndësi është zbatimi i tij. “Pronësia intelektuale i siguron autorët për mall autentik. Ky ligj nxit krijimtarinë. Pirateria nuk shpërblen biznesin”, u shpreh Engstroem, teksa shtoi se në këtë drejtim Shqipëria ka ende punë për të bërë dhe për të parë rezultatet që do sjellë ligji.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se ky ligj: “shënon një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të rejtës së autorit, duke u renditur kështu në një hap me legjislacionet më të avancuara në Europë për këtë lëmë. Mbron, mbështet dhe garanton një kategori vulnerabël, që është ajo e krijuesve, që asnjëherë s’ka përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale. Theksojmë qartë për të gjithë aktorët, që tagrat e së drejtës së autorit i ka vetë autori dhe që i lindin që në momentin e krijimit, si edhe të publikimit të krijimit”, tha Kumbaro.

ANKESAT

Edhe pse u bënë vite tashmë që flitet për të drejtat e autorit, për pronësinë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë, kjo e fundit vijon të mbetet shqetësuese. Drejtori i Zyrës së të Drejtave të Autorit, Evien Dako, do të shprehej se gjatë vitit që shkoi numërohen rreth 150 raste ankesash për shkelje të të drejtave të autorit pranë ZDSHA- së.

Dje, gjatë konferencës për të drejtat e autorit
Dje, gjatë konferencës për të drejtat e autorit

“Por vazhdojnë edhe sot kësaj dite që po flasim, ku shumë autorë apo mbajtës të drejtash i drejtohen ZDSHA-së për të bërë me dije mbi cenimet që po i bëhen veprës”, thotë Dako, duke shtuar se tanimë, me ligjin e ri, shteti ofron gjithë mbështetjen ligjore të mundshme.

“Kemi qenë dhe jemi të gjithë dëshmitarë të lumit të madh të ankesave që vijnë nga të tri figurat që veprojnë më së shumti në tregun e së drejtës së autorit: nga artistët e autorët, të cilët ndiheshin të pambrojtur, të pashpërblyer, të grabitur; nga përdoruesit të cilët ankoheshin se ishin të detyruar të paguanin në situatë konfuze, pa kuptuar si, sa, kujt dhe se si përdoreshin ato para që mblidheshin nga agjencitë e administrimit kolektiv; por edhe nga AAK, sepse hasnin në vështirësi komunikimi me përdoruesit për shkak të vakumeve në bazën ligjore dhe për shkak të paaftësisë së ZSHDA për të menaxhuar mosmarrëveshjet, dhe për shkak të mungesës së koordinimit të institucioneve të ndryshme të inspektimit”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke shtuar se filozofia e ligjit të ri është garantimi i një niveli më të mirë mbrojtjeje për autorët, artistët e titullarët e të drejtave të autorit; sigurimi i një ambienti të përshtatshëm për respektimin e këtyre të drejtave, duke ruajtur balancën midis të drejtave individuale të titullarëve të të drejtës së autorit dhe interesit publik për informim, si dhe klimës së përshtatshme të biznesit.

Ajo u shpreh e ndërgjegjshme se është një ligj, që nuk është i lehtë për t’u zbatuar. Për këtë fakt, për të sensibilizuar mbajtës të së drejtës, por edhe përdorues, në qendër të Tiranës, gjatë ditës së djeshme, ishin ngritur stenda informuese, që shpërndanin fletëpalosje për qytetarët: “Krijimtaria është pasuria ime. Ligji ma mbron”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura