Task-forcë për forcën e ligjit?

Nov 22, 2017 | 10:47
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO*

Që në lindjen e saj, sho qëria njerëzore ka ndierë nevojën për siguri. Studiues të ndryshëm janë përqendruar në të dhe ndër shekuj kanë bërë përcaktime të shumta dhe të qenësishme. Në tërësi, debati mbi sigurinë publike përpiqet t’i japë përgjigje dilemës, nëse siguria është një fakt apo nëse është një ndjesi. Pra, mundohet të përputhë dhe të gjejë njësinë matëse për faktin kur një individ është viktimë e një agresioni e për rrjedhim nuk ndihet i sigurt, dhe ndjenjën e pasigurisë kur individë të tjerë, që nuk kanë qenë ndonjëherë viktima agresioni, por duke dëgjuar për to, nuk ndihen më të sigurt.

Thënë ndryshe: kur në një lagje ndodhin disa vjedhje, derën e blinduar në shtëpi e vendosin jo vetëm viktimat e vjedhjes, por edhe të tjerë, për të qenë më të sigurt, për ta parandaluar vjedhjen. Pra, krahas reagimit ose jo të shtetit, instinktivisht reagon edhe individi. Sigurisht, fenomeni është më tepër kompleks.

Fakti pasiguri është më i thjeshtë, por jo i plotë, pasi kemi statistikat e Policisë. Jo i plotë, sepse jo të gjitha rastet me viktima njihen nga Policia. Debati, në realitetin e përditshëm social qëndron te nocioni, ndjenja e pasigurisë. Cili është profili i individëve dhe shtresave sociale që ndihen të kërcënuar nga rreziqe pa qenë paraprakisht viktima? Fenomeni social i ndjenjës së pasigurisë, në vendin tonë, nuk është i studiuar.

Beteja, më së shumti politike, mbetet në krahasimin e statistikave policore të kohës kur secila palë ka qenë në pushtet. Duke mos e njohur ose duke i refuzuar njohjen, aktualisht, ndjenja e pasigurisë quhet prodhim i kazanit mediatik. Gjithë arsyetimi i mësipërm për ndjesinë apo ndjenjën e pasigurisë lidhet me krimin e zakonshëm, kurse për nocionin “krimi i organizuar”, problemi është më shumë i komplikuar. Ndjesia nuk është individuale, pasi kërcënimi nuk perceptohet i drejtpërdrejtë. Krimi i organizuar kërcënon themelet e shoqërisë demokratike e për rrjedhim, ndjesia për të është në formën e opinionit publik, i varur së tepërmi nga niveli i efektshmërisë së institucioneve.

Në këtë rast, reagimi i individit është masiv dhe shoqërohet me “braktisje”. Këtu vjen problemi specifik i vendit tonë: Ndjesia e opinionit publik shqiptar për këtë fenomen, thuajse gjithmonë, vjen nga raportet hera-herës alarmuese të institucioneve ndërkombëtare. Institucionet shtetërore shqiptare bëjnë pak ose aspak. Pasi në Parlament u lëvdua opozita për alarmin e saj lidhur me kanabisin (a thua se mungonte Policia me 10 mijë e ca punonjësit e saj), në nëntor 2017, mbërrijmë te krijimi i Task-Forcës “Forca e ligjit”. Eureka!

Nga ana leksikore, termi task-forcë ka lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka pasur për kuptim grupimin e përkohshëm të anijeve të luftës (ose të armëve të ndryshme), të ngarkuara me një mision të përcaktuar. Më pas, nocioni u zgjerua edhe për aspekte të tjera, sidomos për ndërmarrjet. Pra, në nocion, task-forca ka për thelb grupimin, përkohshmërinë dhe sigurisht misionin e përcaktuar. Nisur nga koncepti i mësipërm, taskforca provoi se institucionet shtetërore të sigurisë kishin dështuar. Ndaj, duhej krijuar diçka e re me grupim forcash dhe institucionesh për të goditur shpejt dhe për një kohë të caktuar grupet kriminale e për të risjellë në normalitet situatën kriminale. E gjitha, nën siglën “Forca e ligjit.”

Por po të shohësh krijimin e taskforcës, automatikisht mendja të shkon tek operacioni “Fundi i marrëzisë”. Edhe e paparagjykuar, disa probleme janë të dukshme. Gjatë paraqitjes se saj, vihet re se statistikat për elementin më të rëndësishëm, aktual në luftën kundër krimit të organizuar, ai i sekuestrimit të aseteve me prejardhje kriminale, nuk bëjnë ndarje të qartë ndërmjet sekuestrimit të aseteve kriminale për çështje penale të filluara nga autoritetet e huaja të hetimit dhe sekuestrimi i atyre të bëra për çështje penale të filluara nga autoritetet tona.

Megjithëse sekuestrimi i aseteve, në vetvete, ka vlerën e tij të padiskutueshme, rastet nuk janë njëlloj. Duke e parë tërësinë grafike, taskforca paraqet një numër kuadratesh, të cilët janë servirur si risi. Por në fakt, deri tani, nuk është se kanë munguar këto kuadrate dhe kultivimi i kanabisit u shtua. Edhe asgjësimi njëzet herë më shumë i tij, gjatë këtij viti, (të paktën sipas Policisë) u bë pa u krijuar këto organigrama. Në vite, Policisë nuk i kanë munguar kurrë kuadratet. Madje të shumtë. Por problemi mbetet te personeli që mbush dhe kryeson kuadratet.

Janë ata në kushtet e duhura për të përmbushur detyrat? Dhe nuk duhet besuar se krijimi i taskforcës është në kontekstin e pritjes së një rekomandimi pozitiv nga ana e Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë gjatë muajve të ardhshëm të 2018-ës. Sipas skemës së bërë publike, taskforca duket se ka një kontradiktë të rëndësishme. Në nivel qendror, ajo i ka elementët e grupimit të institucioneve, pasi krahas Policisë, është edhe Prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, Ministria e Financave etj.

Kurse në nivelin lokal, niveli më i rëndësishëm, aty ku fillon gjithçka (niveli operacional), kemi vetëm sektorë të specializuar të Policisë dhe asnjë institucion tjetër. Bashkëpunimi i specialistëve të Hetimit për Narkotikët dhe Trafiqet, i specialistëve të Krimeve të Rënda, i specialistëve të Krimit Ekonomiko-Financiar, i specialistëve të Hetimit Pasuror (komponentët përbërës këta të Task-Forcës Rajonale) është në natyrën e përditshme të veprimtarisë së tyre. Ka të bëjë me normën më minimale. Dhe kjo gjë nuk hyn në konceptin task-forcë.

Megjithëse ligji thotë hapur dhe qartë se hetimi drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori, një task-forcë e kryesuar nga një ministër, nuk është normale. Në krye të saj duhej absolutisht një prokuror. Futja e institucionit të politikës në krye të një njësie profesionale e komprometon atë ose nuk i jep efektshmërinë e duhur. Nuk e bën të besueshme. Prodhon kazan, por qeveritar. Logjika duket e njëjtë me ministrin paraardhës. Pra “asgjë të re nga fronti i perëndimit.”

Gjithsesi, interesi i gjithë shoqërisë shqiptare është që krimi të luftohet dhe organet kompetente t’i përgjigjen pritshmërisë së saj. “Forca e ligjit” duhet të jetë kudo, kurdo dhe jo vetëm objekt i një task-force. Akoma më shumë integrimi.

*Ekspert për sigurinë publike, ishdrejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura