Taksa e shtëpive te dritat, Shoqata e Bashkive kundër: Vendimi, antikushtetues

Aug 21, 2018 | 21:36
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Bashkitë janë kundër mbledhjes së taksës së shtëpive të fatura e dritave. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i kërkon qeverisë të tërhiqet nga miratimi i projektvendimit dhe t’ua lerë në dorë bashkive caktimin e agjentit fiskal për mbledhjen e taksës.

voltana ademi

Bashkitë kërkojnë që agjenti tatimor të miratohet nga Këshilli Bashkiak dhe komisioni për kostot e shërbimit të negociohet prej tyre, sipas kushteve që ato konsiderojnë të përshtatshme.

SHOQATA E BASHKIVE

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, e kontaktuar nga gazeta, tha se vendimi është antikushtetues, pasi cenon autonominë e tyre. “E para, bie ndesh me ligjin për vetëqeverisjen vendore të miratuar me 3/5 në Parlament, i cili i detyron bashkitë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të administruar të ardhurat për taksa dhe tarifa, të cilat i mbledhin me ligj. E dyta, është e shkruar në mënyrë ekskluzive në ligjin për sistemin e taksave vendore, se është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë edhe agjentin tatimor dhe përqindjen e kostos së shërbimit. Në fakt, shumica e bashkive në vend kanë agjentë tatimorë, si dhe kanë të përcaktuar komisionin e kostos.

Për shembull, Korça ka Ujësjellësin, Bashkia e Shkodrës ka Ujësjellësin, si dhe sistemin e integruar të zyrave me një ndalesë. Pra, të gjitha bashkitë kanë një agjent tatimor të legjitimuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Në qoftë se ka një vendim të Këshillit të Ministrave, që bie totalisht ndesh me autonominë vendore, me ligjin e miratuar në Parlament, është ky vendim. Pra, ky vendim është antikushtetues dhe ne kërkojmë tërheqjen e qeverisë nga kjo nismë”, u shpreh Ademi.

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive kundërshton edhe mënyrën e llogaritjes së komisionit për kostot e shërbimit të agjentit tatimor. Projektvendimi i qeverisë përcakton se OSHEE do të mbajë 4 për qind të të ardhurave për çdo njësi vendore. “Çështja e dytë është kush e përcaktoi komisionin 4 për qind, 2 për qind ose 3 për qind? Ka një studim, që komisioni duhet të jetë 4 për qind apo 2 për qind? Pse duhet të jetë detyruese kostoja dhe të mos jetë një negocim që bën bashkia me agjentin tatimor? Sepse, në qoftë se Bashkisë së Shkodrës, llogaritja e komisionit, p.sh, shkon 2 për qind, në një bashki tjetër kjo kosto nga agjenti tatimor mund të kushtojë ose më shumë ose më pak. Po ju sjell një shembull teknik.

OSHEE në Velipojë nuk ka zyra të shërbimit për klientin dhe kostoja për ta mbuluar këtë shërbim do të jetë që të ngrihet një zyrë nga fillimi, ndërkohë që Ujësjellësi dhe Bashkia e Shkodrës kanë zyrat e veta që mbledhin taksat atje. Pra, llogaritja e komisionit, që është e barasvlershme me koston e shërbimit që bashkitë duhet të paguajnë për një agjent tatimor, duhet të llogaritet dhe pastaj duhet të vendoset me vendim të Këshillit Bashkiak, por jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Pasi në këtë rast cenohet e drejta për të vendosur vetë, i hiqet plotësisht një e drejtë”, tha Ademi.

Kreu i Shoqatës së Bashkive thotë se qeveria duhet vetëm të rekomandojë agjentin, ndërsa vendimi duhet të merret në Këshillin Bashkiak. “Ajo që mund të bëjë Vendimi i Këshillit të Ministrave është kjo që OSHEE të përcaktohet që mund të jetë një agjent tatimor, po ashtu mund t’i japë detyrë edhe postës që të shërbejë si i tillë, apo të gjitha institucioneve të tjera që nuk kanë janë në varësi të institucioneve vendore, që në qoftë se në këshillat bashkiake vendosin që ato të jenë agjentë tatimorë”, thekson Ademi.

KUSH NUK PAGUAN TAKSËN

Nga taksa e shtëpive, që do të nisë të paguhet nga 1 janari 2019, sipas përllogaritjeve të metodologjisë së re, nuk do të paguhet nga pensionistët dhe familjet në nevojë. Referuar ligjit të miratuar nga Parlamenti, nga taksa do të përjashtohen edhe 8 kategori të tjera. Gazeta boton 10 kategoritë që nuk do të paguajnë taksën e pronës, që nga pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe 8 kategori të tjera. Për pensionistët, skema e mospagimit të taksë së pronës do të jetë e njëjtë me atë të energjisë. Pensionistët që jetojnë vetëm dhe përfitojnë kompensim të energjisë elektrike, nuk do të paguajnë taksën e shtëpive. Në total janë 84 mijë pensionistë kryefamiljarë të ndarë në 3 kategori, që nuk do të paguajnë taksën e pronës.

KATEGORITË QË PËRJASHTOHEN

PENSIONISTËT
Pensionistët kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët

Pensionistët kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet nga bashkëshortja dhe është pensioniste

Pensionistët kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet nga bashkëshortja dhe është e papunë.

KATEGORITË E TJERA QË PËRJASHTOHEN
Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike

Pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;

Pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore

Ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara

Banesat sociale në pronësi të bashkive;

Pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;

Ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre
Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;

Ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura