Taksa e pronës edhe për shtëpitë në proces legalizimi, si do paguhet

Oct 29, 2017 | 14:54
SHPËRNDAJE

Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Paketa fiskale nis zbatimin pas 1 janarit 2018, me rritjen e taksës së pronës, ndryshimet për taksat e makinave të luksit, rritjes së akcizës së cigareve 7 lekë për paketë, shtrirjen e TVSH-së së turizmit 6 për qind edhe të hotelet me 4 dhe 5 yje dhe uljes së tatimfitimit në 5 për qind për prodhimet softwere.

Gazeta boton ndryshimet me taksat, të miratuara nga qeveria dhe kategoritë që do të paguajnë taksën e pronës.

Banesa e familjes Vecaj
Banesa e familjes Vecaj

SHTËPITË

Qeveria ka miratuar formulën e re të llogaritjes së taksës së pronës. Taksa e pronës do të paguhet edhe nga shtëpitë që janë në proces legalizimi. Pra, bëhet fjalë për ato familje që kanë aplikuar për marrjen e lejes së legalizimit. “Taksës mbi ndërtesat u nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe. Taksës mbi ndërtesat u nënshtrohen personat që kanë aplikuar për legalizim e ndërtesës sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Taksës mbi ndërtesat u nënshtrohen zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i planifikimit. Afati i përllogaritjes së taksës fillon nga momenti i mbarimit të afatit kohor, të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Taksa vendore mbi pasurinë e paluajtshme, ndërtesë, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Pagesa e taksës bëhet çdo muaj apo, për periudha më të gjata, në varësi të kategorisë së taksapaguesit, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.”, thuhet në relacionin e ligjit. Për 2018, qeveria ka vendosur që taksa e pronës të jetë 0,05 për qind të vlerës së apartamentit.

Edhe për qytetarët që kanë aplikuar për lejen e legalizimit, do të paguajnë taksën e shtëpisë sa 0,05 për qind të vlerës, llogaritur me çmimet fiskale. Për ta konkretizuar për qytetarët, po ju sjellim një shembull.

Në rast se një shtëpi, e cila është në proces legalizimi, ndodhet në zonën kadastrale 1/1 që përkon me zonën e Ali Demit, Fusha e Sportit apo fshati Shkozë ku çmimi fiskal është 97,700 lekë për një shtëpi me sipërfaqe 100 metër katrorë, vlera është 9,770,000 lekë. Familja që posedon një shtëpi në këtë zonë dhe ka aplikuar për ta legalizuar, do të paguajë 4,885 lekë në vit apo 407 lekë në muaj.

Taksa do të paguhet një herë në muaj në faturat e ujit të pijshëm. Taksa e pronës do të paguhet edhe për apartamentet dhe do të përdoret e njëjta logjikë për llogaritjen, pra, taksa do të llogaritet mbi çmimet fiskale.

Taksa e re do të paguhet edhe nga biznesi, në masën 0,15 për qind të vlerës së ndërtesës që sipërmarrësi ushtron aktivitetin ekonomik. Kategori e re që shtohet për të paguar taksën e pronës janë edhe ndërtuesit, të cilët kanë shkelur afatet e lejes së ndërtimit. Referuar relacionit për këtë kategori, qeveria ka vendosur që taksa e pronës të paguhet 30 për qind e vlerës së objektit të papërfunduar.

Nga mospagimi i taksës do të përjashtohen disa kategori, ku një ndër to janë edhe banesat sociale dhe hotelet me 4 dhe 5 yje që kanë fituar status special. Me paketën fiskale, pas 1 janarit, taksa e makinave të luksit do të paguhet për ato mjete me kapacitet 6+1, me çmim deri në 5 milionë lekë dhe cilindrat 3 mijë cm3. Po ashtu, akciza për cigaret, vitin e ardhshëm, do të rritet 7 lekë për paketë.

Ulja e TVSH-së së turizmit 6 për qind do të aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të certifikuara, “Hotel me pesë yje, status special”. Hotelet me 4 dhe 5 yje, me status special, do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga tatimfitimi për 10, në rast se përfitojnë këtë status deri në dhjetor të 2024.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura