TABELAT/ Sa rriten rrogat për 110 mijë punonjës të administratës

Mar 8, 2017 | 19:06
SHPËRNDAJE

Sot qeveria ka miratuar vendimin për rritjen e pagave që do të variojë nga 7 për qind deri në 36 për qind.

Referuar projektvendimit, shtesën e pagave do ta përfitojnë 110 mijë punonjës të administratës. Rritja e pagave nis më 1 prill dhe fondi për shtesën llogaritet 6 miliardë lekë.

Gazeta “Panorama” boton tabelat zyrtare të projektvendimit me rritjen e pagave për buxhetorët mbështetës, për funksionet në administratë, për mësuesit, pedagogët, infermierët, mjekët, ushtarakët dhe policët.

pagat2

MËSUESIT DHE MJEKËT

Rritjen e pagës 10 për qind do ta përfitojnë 34.630 mësues të shkollave të mesme dhe të sistemit 9-vjeçar. Sipas projektvendimit shtesa e pagës për mësuesit e shkollës 9-vjeçare është 3.550 lekë. Paga mesatare bruto nga 61.100 lekë do të bëhet 64.650 lekë. Për mësuesit e shkollës së mesme rritja do të jetë 3.850 lekë. Paga mesatare bruto nga 64.100 lekë do të bëhet 67.950 lekë. Fondi që do të përdorët do të jetë me vlerë 1.3 miliardë lekë.

pagat3

Pagat për 3 826 pedagogë do të rriten 10 për qind dhe fondi është 450 milionë lekë. Pedagogët përfitojnë rritje page 10.397 lekë. Pas 1 prillit rroga e një pedagogu do të bëhet 97.042 lekë, nga 86.645 lekë që është sot.

Edhe pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 10%. Nga rritja do të përfitojnë 4650 mjekë dhe 13.765 infermierë në të gjithë vendin.

Shtesa e pagës mesatare të mjekëve do të jetë 9.087 lekë. Paga e mjekut nga 69.008 lekë do të bëhet 78.095 lekë. Për infermierët, shtesa do të jetë 5.775 lekë. Rroga për infermierët nga 39.786 lekë do të bëhet 45.561 lekë. Fondi i rritjes do të jetë 1.3 miliardë lekë.

pagat4

BUXHETORËT

Në administratë rritja më e lartë do të jetë për pagat e 6900 punonjësve mbështetës të administratës. Për shofer- ët, rojet, sportelistët, operatorët dhe magazinierët, rritja e pagës minimale do të jetë 36.3 për qind ose me 8.000 lekë në muaj. Për punonjësit mbështetës si pastrues rroga nga 22 mijë lekë bëhet 37.500. Për rojet rroga nga 23.750 bëhet 39.484 lekë, ndërsa për shoferët e magazinierët nga 22.650 do të bëhet 41.681 lekë.

Për punonjësit e ministrive dhe Këshillit të Ministrave, rrogat do të rriten nga 7 deri në 10%. Konkretisht, specialistit të parë të administratës apo kategoria “III b” rroga i rritet 3.990 lekë, ku nga 57 mijë që paguhet sot, pas 1 prillit do të marrë 89.990 lekë. Për kategorinë “IV a” që është specialisti i dytë, rroga do të rritet 3.206 lekë nga 45.800 lekë, paga do të bëhet 70 mijë lekë.

USHTARAKËT E POLICËT

pagat5

Për 6750 ushtarakë rritja e pagës do të jetë sipas gradëve nga 8 deri në 10 për qind. Shtesa varion nga 4 mijë lekë deri në 12.560 lekë. Referuar tabelës zyrtare për gradën kapter, rritja do të jetë 5.230 lekë.

Pas 1 prillit një kapter do të paguhet 57.530 lekë nga 52.300 lekë që merr sot. Edhe për 10 mijë punonjës të policisë pagat do të rriten nga 10% deri në 35%. Për një inspektor dhe nëninspektor paga do të rritet 35%, ku nga 58.930 që paguhen aktualisht nga 1 marsi do të paguhet me 69 mijë lekë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura