Vrasje me armë në Sarandë, 1 i vdekur, 2 plagosen

Aug 31, 2012 | 16:15
SHPËRNDAJE
Foto Ilustruese

SARANDE- Prishja e pazareve për drogën, ka çuar në vrasjen e një 45- vjecari në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ardian Beqiri, 45 vjeç, ka ngelur i vdekur në vend, teksa është qëlluar me armë automatike nga një i ri delvinjot.

Ngjarja ka ndodhur në orën 15:45 minuta në një lokal në afërsi të shkollës 9-vjecare “Shefqet Sulejmani” të fshatit Gjashtë, 2 km në të hyrë të qytetit të Sarandës. Mësohet se viktima, është bërë mburojë për nipin e tij, i cili nuk ka pësuar asnjë lëndim gjatë aktit të vrasjes. Dëshmitarë në vendngjarje, konfirmojnë për gazetën “Panorama” se nipi i viktimës është konfliktuar me agresorin për çështje të prishjes së pazareve për ngarkesat me marijuanë të ardhura nga Lazarati në drejtim të Delvinës e mandej në Greqi përmes rrugëve detare dhe tokësore.

Agresori, pasi është sqaruar me fjalë në mënyrë tepër të nxehtë me nipin e viktimës, ka rrëmbyer automatikun dhe është nisur drejt një lokali ku supozohej se qëndronte nipi i Ardian Beqirit.  Ky i fundit mbeti viktimë, ndërsa me të janë plagosur edhe Orest Ziflaj, 21 vjeç nga Delvina dhe Ferdinand Xhoro, 32 vjeç nga fshati Gjashtë. E ndërsa viktima ka ngelur i pajetë poshtë tavolinës së lokalit, dy të lënduarit, janë përcjellë menjëherë në spitalin e Sarandës për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Agresori pasi ka qëlluar, është larguar menjëherë me një automjet me targa italiane, në drejtimin e poshtëm të fshatit Gjashtë dhe askush nga dëshmitarët në vendngjarje, nuk ka dhënë detaje për identifikimin e tij.

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura