Stilisti i “Chanel”: Drama ime, nuk ndiej kënaqësi nga puna që bëj

Aug 25, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ai ka gjithçka, bën jetën që dëshiron. Por, përveç viteve që po i ikin, e ka një dramë të madhe: Nuk ndien asnjë kënaqësi nga puna e vet, edhe pse punon pa pushim. Karl Lagerfeld, kryestilisti dhe drejtuesi i shtëpisë së modës “Chanel”, asaj italiane “Fendi”, ndërsa ka edhe markën e vet, tregon për revistën “Madame” të Le Figaro se nuk është aspak krenar për veten, edhe pse atij nuk i thotë askush jo. Nuk mjafton moda dhe fotografia, por tashmë i ka hyrë edhe baletit.

Sigurisht, jo kërcimit, por dizenjimit të kostumeve të balerinëve. Me këmbënguljen e Benjamin Millepied përpara nisjes, Karl Lagerfeld bëri të mundur futjen e modës në Operën e Parisit. Ai ka stiluar kostumet e balerinave në BrahmsSchönberg Quartet, në një koreografi të George Ballanchine. Stilisti me famë botërore tregon për jetën e tij, që nga fëmijëria, ëndrrat e vogëlisë dhe famën.

balerinat me kostumet e lagerfeld

Njohim shumë anë të portretit tuaj, po atë me muzikën jo, ç’lidhje keni ju me të?

E adhuroj muzikën dhe kam ende 30 mijë disqe vinili me muzikë klasike. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: ime më ishte violiniste, me sa duket shumë e talentuar, edhe pse nuk ka luajtur publikisht – ajo ishte tepër dembele për ta bërë këtë. Kur isha fëmijë, në mëngjes, kur nuk shkoja në shkollë, unë duhet të ktheja faqet e partiturave, ndërsa ajo studionte violinçel. Kam ngrënë goditje harku, që…

Ajo kishte edhe disqe me kuartete, mbi të cilat luante dhe unë duhet t’i ktheja, dhe shpejt! Papritur ajo nuk luajti më kurrë, pa dhënë asnjë shpjegim. Nisa të mësoja pianon, por në krye të një viti, ime më, sërish ajo, e mbylli kapakun përfundimisht: Ti nuk ke asnjëfarë talenti! E urrej zhurmën që ti bën. Vizato!”. Kam kaluar të gjitha stilet. Në veçanti adhuroj muzikën latine. Kam qenë kampion i dansit latin, në veçanti çaçasë. Kam marrë leksione te “Georges & Rosy”.

Si nisi kjo aventurë në Opera?

E kam takuar Benjamin Millepied, që e dua shumë, te disa miq të mitë. Ai më thirri për të më propozuar konceptimin e kostumeve dhe të dekorit. I thashë po. E adhuroj muzikën e Brahmsit, të riinterpretuar nga Schönberg: është sublime, por nuk ka argument. Atëherë unë krijova një histori: është fundi i Perandorisë Austro-Hungareze. Është fundi i një ere që po shkon drejt modernitetit: Schönberg, Schiller, Hoffmann… Kostumet janë si figurina të vogla të Wiener Werkstatte. Ato janë realizuar në mënyrë hyjnore nga atelieja e Operës.

karl lagerfeld dhe trupa e baletit te parisit

Kostumet tuaja marrin jetë në skenë, ju jep kënaqësi kur i shihni kështu?

Nuk më bën asnjë përshtypje, kjo është drama ime: nuk marr asnjë kënaqësi nga puna ime, edhe pse jam i kënaqur që njerëzit e pëlqejnë. E dini, unë punoj vetëm për të punuar. Nuk jam kurrë krenar për veten. I them gjithnjë vetes që mund ta kisha bërë diçka edhe më mirë, që jam dembel dhe se duhet të ulem në tavolinën e vizatimit.

Ju gjejmë në të gjitha frontet: modë, fotografi, balet. Dukeni i palodhur…

Kjo sepse unë nuk dal. Nuk bëj asgjë tjetër veç punës. Bëj një jetë të shëndetshme. Nuk kam konsumuar kurrë as alkool dhe as drogë. Gjithnjë kam qenë larg këtyre. Ata që kanë bërë një jetë më pak të rreptë se timen, ose kanë vdekur, ose janë “të pariparueshëm”. E pastaj, unë nuk përsëris. Duhet të adaptohesh me epokën, sepse ajo nuk adaptohet me ju. Nuk e njoh nostalgjinë, por në të njëjtën kohë, e tashmja ime është për t’u pasur zili: unë bëj pikërisht atë që dua, kam kontrata të përjetshme dhe askush nuk më thotë jo. Jam gjatë gjithë kohës në punë.

Çfarë i ngjan një ditë á la Karl Lagerfeld?

Siç ju thashë, nuk bëj gjë tjetër, veçse punoj. Jam shumë artizanal. Më pëlqejnë kur të gjitha ditët ngjajnë. Ngrihem herët, ha mëngjesin bashkë me macen time, Choupette. Nuk kam as kohë të lexoj gazetat që i kam mbi tryezën e vizatimit, ndërsa shkarravis pa e parë orën. Më sjellin drekën -nuk dua të kem kuzhinë në shtëpi- dhe vazhdoj të punoj deri sa të dalë për takime ose për seanca fotografike. Hyj në shtëpi vonë, pi një gotë Château Cheval Blanc – mjeku më ka këshilluar verën- dhe fle deri në orën 6 të mëngjesit.

Për çfarë ëndërronte fëmija i vetmuar në provincën e Schleswig-Holstein?

Ai ëndërronte të bëhej një legjendë, si në një përrallë. Është e turpshme, apo jo? Gjithnjë kam menduar se e kisha një destin dhe që nuk do ta humbisja kohën time me asgjë që më pengonte që të arrija qëllimin tim. Pa dyshim, gjithçka është lehtësuar nga liria që më kishin dhënë prindërit e mi apo edhe që e kisha marrë: imitoja shkrimin e sime mëje- dhe di ende ta bëj- për të mos shkuar në shkollë. Lexoja libra për të rritur, nuk doja veçse të mësoja, por në shtëpi. Kur isha 16 vjeç, u nisa për në Paris, fitova një konkurs mode dhe nuk u ktheva më kurrë. Ishin kohë të lumtura…

(Madame-Le Figaro)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura