“Luftën politike vazhdojeni”- Rama fton opozitën dhe e sfidon atë: Të bëhemi bashkë për shtetbërjen evropiane të Shqipërisë! Nëse ju doni seriozisht që vitin tjetër të vini në pushtet…

May 7, 2024 | 12:18
SHPËRNDAJE

Për të krijuar shtetberjen evropiane të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ftoi opozitën që të bëhen bashkë për të adresuar të gjithë problemet, por jo dallimet politike.

Në fjalën e tij para deputetëve të tij, por edhe para kabinetit qeveritar, Rama sfidoi opozitën duke i thënë se nëse ata vërtet duan që vitin tjetër të vijnë në pushtet, duhet të bashkëpunojnë për këtë nismë, që e con Shqipërinë me afër BE.

“Vetëm nëse e përballimin sfidën e anëtarësimit si një trup i vetëm i shtetit shqiptar, ne mund t’ia dalim të jemi plotësisht gati pa e pritur dekadën tjetër për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Sikundër e thashë dhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare ne sot jemi gati për t’i paraqitur Grupit parlamentar një projektrezolutë të Kuvendit të Shqipërisë që të nisim përpjekjen për këtë angazhim gjithë përfshirës, ku pa dyshim nuk mund të mendohet që mund të përjashtohen opozitat politike  në Kuvend, por edhe jashtë saj.

Thirrja ime sot për të gjithë  ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë besoj, ne nuk ju ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni ju, me të gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune të përbashkët, me aleatët tanë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona  të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë. Tani ju thoni se e keni shumë seriozisht që doni të vini në pushtet dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne për këtë dëshirë tuajën unë ju them se zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe nëse me gjithë mend do vini në pushtet, atëherë ju duhet të jeni të parët që të jeni të interesuar për këtë iniciative, sepse bota do të vazhdojë të rrotullohet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme.

Ora biologjike mund të ndalë largqoftë për secilin prej nesh, por s’mund të ndalë për të gjithë ne dhe çfarëdo çudie të na sjell koha deri në zgjedhje, përsëri do të ketë opozitë, përsëri do të ketë qeveri, ku forcat ekzistuese të Parlamentit të sotëm do kenë rolin e tyre.

Kështu që konsiderojeni këtë iniciative tonën si mundësinë tuaj, për të filluar të mendoni se çfarë duhet të bëni për shtet bërjen europiane kur dëshira juaj që të vini në pushtet të plotësohet dhe ju të jeni qeveria dhe kijeni parasysh që kjo iniciativë kërkon një punë të madhe, ende më të madhe sesa puna për reformën në drejtësi, çka do të thotë që do të marrë disa vjet”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura