Pa tre titullarë në Durrës, Egnatia humbet edhe Aleksin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 11:18

Pa tre titullarë në Durrës, Egnatia humbet edhe Aleksin

Pas humbjes me Vllazninë në Rrogozhinë, vëmendja ka kaluar te sfida me Teutën në Durrës. Egnatia synon rikthimin te fitorja për të harruar disfatën në shtëpi, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Përveç vlerave të kundërshtarit të radhës, vështirësia shtohet nga fakti se kryesuesit e Superiores shkojnë në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme. Trajneri Edlir Tetova nuk do të ketë në dispozicion tre titullarë në Durrës, të cilët janë Arbenit Xhemajli, Albano Aleksi dhe Edison Ndreca.

aleksi

Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Vllazninë, Aleksi mori kartonin e 4-t të verdhë, kurse Ndreca nuk e ka kaluar ende dëmtimin muskulor që pësoi në Kupë. Në këto kushte, rrogozhinasit duhet të modifikojnë formacionin për përballjen me Teutën, kundërshtar që e ka mundur vetëm një herë më parë. Problemi më i madh për Tetovën është mbrojtja, ku mungojnë dy lojtarë. Për qendrën janë të gatshëm Malota dhe Dylis, ndërsa për krahun e majtë nuk ka një alternativë të mirëfilltë dhe mbetet për t’u parë zgjedhja e trajnerit durrsak. Në mesfushë mund të ketë hapësirë për Ahmetajn, që mund të marrë vendin e Aleksit. Rrogozhinasve u duhet të mbrojnë vendin e parë dhe pas hapit të gabuar me Vllazninë, nuk do t’ia lejonin vetes një tjetër zhgënjim, sepse do të vinin gjithçka në diskutim më pas për dy javët e fundit.

HESHJTA – Edhe pse Egnatia po zhvillon deri tani sezonin perfekt, duke kryesuar Superioren dhe duke qenë në finale të Kupës së Shqipërisë, klubi ka vendosur për heshtje shtypi. Një situatë paradoksale, po të kemi parasysh faktin se në këtë moment nuk ka asnjë lloj presioni në skuadër, përkundrazi, atmosfera është mjaft pozitive. Nuk bëhen të ditura arsyet pse është marrë ky vendim, por klubi nuk lejon askënd të prononcohet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"