EKSKLUZIVE/ “Ja pse dështoi Flamurtari”, Idrizi: Ekipi u sulmua në Laç, arbitri ndërpreu lojën vetëm kur i fyen… gruan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 23:25

EKSKLUZIVE/ “Ja pse dështoi Flamurtari”, Idrizi: Ekipi u sulmua në Laç, arbitri ndërpreu lojën vetëm kur i fyen… gruan

Sinan Idrizi thotë se Flamurtari ishte në presion psikologjik dhe fizik në Laç. Administratori i kuqezinjve nuk e kupton se përse ndeshja nuk u ndërpre asnjëherë, kur në fushë u hodhën mbi 50 flakadanë dhe sende të tjera. Kjo ndodhi vetëm një herë, kur u ofendua në kor nga tifozët e Flamurtari bashkëshortja e gjyqtarit.

Idrizi

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Idrizi fajëson presidentin e FSHF-së për çorganizim të garës. Gjithsesi, kreu i klubit nuk bën “qaramanin” kur thotë se Flamurtari e humbi vetë garën dhe nuk ishte me “këmbë në tokë”, pasi kishte mesataren më të ulët të pikëve të grumbulluara krahasuar me një vit më parë. Për të ardhmen, thotë se dëshiron të qëndrojë derisa t’i ngjis kuqezinjtë në Superiore, por nëse ka dikush tjetër ambicie për të marrë klubin, e fton që ta bëjë këtë gjë.

Idrizi, Flamurtari edhe në sezonin tjetër do të jetë në Kategorinë e Parë. Çfarë ndodhi në Laç?

Është epilogu i një kampionati që nuk e përfunduam aty ku duhet. Në këtë vit futbollistik, skuadra pati një mesatare pikësh për ndeshje më të ulët se viti i kaluar. Ishim diku te 1.74 pikë për ndeshje. Nuk ia dolëm dot që të ngjiteshim një kategori më lart, aty ku duhet të kemi vendin. Ne nuk duhet ta kishim çuar në këtë gjendje ekipin. Do të thotë që nuk duhet të ishim pozicionuar në vendin e tretë dhe t’ia linim rastësisë së “play off”-eve. Te ndeshja me Laçin ishin dy anë të ndryshme të medaljes. Në fushë u luajt futboll. Mua më pëlqeu. Lojtarët ishin të motivuar. Unë jam kundër atyre që thonë, se u motivuan për punë të lekëve. Jam i sigurt që jo. Ndoshta dhe kjo ka ndikuar, por… jo. Ekipi luajti mirë dhe për këtë i falënderoj të gjithë. Kur luhet dhe humbet nuk ka asnjë gjë fare…

Klubi, në reagimin e tij duket se fajëson gjykimin. Ku e kontestoni?

Ishte shumë e shëmtuar! Pa bërë qaramanin, unë e kam thënë që FSHF është çorganizuese e çdo gjëje në Shqipëri, flas për futbollin. Organizimi i garës linte shumë për të dëshiruar. Zv/presidenti i UEFA-s, drejton futbollin shqiptar dhe gjatë gjithë ndeshjes janë hedhur me numërim mbi 50 flakadanë, fishekzjarrë dhe të tjera si këto që bënë stadiumin të gjëmonte çdo dy minuta. Sulmoheshin lojtarët tanë me çdo lloj mjeti dhe nuk u ndërpre ndeshja asnjëherë.

Vazhdoi sikur nuk po ndodhte asgjë. Loja është ndërprerë vetëm një herë, kur kori i tifozëve vlonjatë përdori një batutë fyese për gruan e arbitrit. Ai shkoi menjëherë te i dërguari i FSHF-së dhe kapiteni i Flamurtarit, që t’i drejtohej tifozëve, pasi e kishte gruan shumë të shenjtë. Unë di që cikli i shenjtërimit është mbyllur me Shën Mërinë, por gruaja dhe motra e këtij qenkan të shenjta, gratë tona, motrat tona që shahen në kor atje, nuk janë të shenjta. Jetojmë në një vend që mbushet stadiumi me çfarë të duash ti, me çdo lloj presioni psikologjik, fizik dhe nuk reagon FSHF. Reagon vetëm një herë kur ofendohet në kor gruaja e arbitrit. Kjo është gjëja më e shëmtuar. Problemi thelbësor, që ne të mos bëjmë qaramanin, është se ndeshjen e kemi humbur ne. Nuk i hyj fare historive të kartonëve të verdhë. Ndeshjen e humbi Flamurtari dhe stafi teknik që drejtoj skuadrën.

Pse e humbi ndeshjen Flamurtari?

Unë nuk bëj analizë pse humbi. E vetmja që di është të financoj ekipin dhe do t’u kërkoj përgjegjësi këtyre që e kanë bërë. Lexoja dje (pardje) komentet e tifozëve vlonjatë. Unë lexoj dhe komentet e burracakëve që kanë profil fallco. Dikush thoshte duhet të rris buxhetin. Unë kam buxhetin më të lartë në Shqipëri. Nuk është problem buxheti te Flamurtari, është problem menaxhimi.

Që do të thotë se keni dështuar në menaxhim?

Nuk do gjej njerëz nga hëna dhe t’i sjellë këtu. Stafi teknik është i gjithi vlonjat. Djemtë i shikoja të karikuar, të angazhuar në fund fare…Pra, pa i hyrë asaj që Federata nuk di të organizojë garën, por e çorganizon atë pasi zhvillojmë kaq dhe aq ndeshje në tri ditë, pjesa tjetër e përgjegjësisë është e jona komplet.

Na e shpjegoni pak, pse është përgjegjësia apo faji juaj?

Po, ja ta them unë. Në 3 ndeshje me Burrelin ne humbën 6 pikë. Në 3 ndeshje me Ballshin humbëm 9 pikë. Pra, që në momentet e para gara ishte e mbyllur. Ju i dini historitë e ndeshjes me Lushnjën këtu, me Kavajën këtu, dhe të tjera si këto. Pra, përgjegjësia është e jona. Ne nuk patëm “këmbët në tokë” të fitonim këtë kampionat dhe kaq. Ne nuk duhet ta linim gjendjen te epilogu në Laç.

Do të qëndroni në drejtimin e klubit edhe në sezonin e ardhshëm?

Unë kam dëshirë ta vazhdoj kontratën derisa ta çoj Flamurtarin në Superiore. Por ftoj të gjithë ata që kanë dëshirë, nëse ka dikush, të vijë ta financojë Flamurtarin këtë vit. Unë i hap krahun menjëherë. Me që përfundoi edhe ky vit i dështuar, që është përgjegjësia ime dhe stafit tim. Nëse ka ndonjë me financa të pastra le të vijë menjëherë.

Keni folur me stafin teknik dhe lojtarët pas ndeshjes me Laçin?

Jo nuk kam kontaktuar me stafin dhe as me lojtarët. Nuk kam çfarë të flas më me stafin. Fola para ndeshjes, përgatitëm ndeshjen. Flamurtari luajti mirë dhe kaq. Nuk kam çfarë flas më. “Si kofini pas të vjelit” i thonë kësaj, nuk dua të bëj më agjitatorin. Secili të jetë i qartë në pozicionet e tij. Brenda kësaj shtëpie që quhet Flamurtar, në dhomën e tij të jetë i qartë çfarë pune bën dhe çfarë historie ka te ky klub.

 

 

Çfarë tha Memushi pas disfatës në Laç

 

“Krim kundër Vlorës, na dënoi një arbitër bastard”

 

Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, ka shpërthyer pa u kursyer ndaj gjyqtarit Erjon Bastari pas humbjes në Laç. Mes të tjerash ai u shpreh: “Keqardhja më e madhe është sesi zhvillohen garat. Përgjegjës kryesor është sektori i garave. Është një krim i madh të tallesh me investimin e gjithë vitit. Një investim i madh dhe bëhet fjalë për Flamurtarin një ekip e qytet me tradita në futbollin shqiptar dhe që i ka dhënë shumë këtij sporti. Flamurtari e meritonte të ishte në superiore, pasi e dominoi totalisht të gjithë lojën. Në 90 minuta nuk u dorëzuam asnjëherë, barazuam, kishim rastet tona, por kjo gjë varet nga një treshe gjyqtarësh që ishin kamikazë. Këta janë njerëz që tallen me bukën e fëmijëve tanë dhe me djersën e mundin e sakrificën e çunave që vijnë për tu argëtuar dhe luajtur futboll. Të vijë një ekip që brenda dy javësh bën 5 takime dhe dy herë luan me kohë shtesë dhe një bastard ashtu siç ka mbiemrin apo ku di unë të vijë qe të tallet me djersën, gjakun dhe krenarinë dhe nderin e një qyteti. Kjo është e pafalshme”.

 

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"