EKSKLUZIVE/ Klubi rumun interesohet për dy “xhevahirët” e Skënderbeut, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Klubi rumun interesohet për dy “xhevahirët” e Skënderbeut, zbardhen prapaskenat

Edhe pse nuk e ka mbyllur ende zyrtarisht sezonin, Skënderbeu është i përfshirë tërësisht në merkato.

skenderbeu

Klubi juglindor kërkon të menaxhojë sa më mirë “xhevahiret” që ka në ekip, për të cilët ka investuar dhe tani kërkon më të mirën prej tyre në aspektin financiar. Burime në klub bëjnë me dije për “Panorama Sport” se dy prej tyre kanë pasur vëzhgues specialë në ndeshjen gjysmëfinale të “Final Four” kundër Partizanit, e luajtur javën e kaluar në “Air Albania”, ku Skënderbeu humbi 1-0.

Bëhet fjalë për sulmuesin Ermir Rashica dhe kapitenin Dean Liço, të cilët ishin në fokusin e përfaqësuesve të klubi rumun të Kluzhi. Këta të fundit kanë pasur mundësinë të shohin nga afër dy lojtarët të bardhekuqve dhe kanë mbajtur shënimet përkatëse. Për Liçon më parë pati interesim edhe nga Bullgaria, nga CSKA e Sofjes. Ende nuk flitet për oferta konkrete në klubin korçar për Rashicën dhe Liçon, por është e konfirmuar se interesimi për ta nuk është vetëm nga rumunët e Kluzh, por edhe klube të tjera.

Gjatë kampionatit, në ndeshjet më të forta që ka pasur Skënderbeu, në stadium ka pasur vazhdimisht skautë, kryesisht të skuadrave nga kampionatet lindore, që kanë studiuar lojtarë të ndryshëm. Presidenti Ardian Takaj do të vlerësojë me kujdes të gjitha ofertat, për të vendosur më pas se cili largim mund të jetë në interes të klubit bardhekuq. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë Skënderbeu shiti sulmuesin Frenklin në Kazakistan.

TË TJERËT – Nuk janë vetëm Rashica dhe Liço emrat e lakuar në merkaton në dalje të Skënderbeut. Dy futbollistë të tjerë titullarë që kanë treg aktualisht te korçarët janë mesfushori Rabiu dhe sulmuesi Nikaj. Edhe ata janë vëzhguar në ndeshje të ndryshme nga përfaqësues klubesh të huaja, por për momentin nuk bëhen të ditur emrat. Duket i sigurt fakti se në një të ardhme të afërt Skënderbeu do të arkëtojë sërish nga shitja e lojtarëve. Edhe Rabiu konsiderohet një “xhevahir”, që mund të gjenerojë të ardhura për klubin, duke ditur që korçarët kanë në zotërim 100% kartonin e nigerianit, i ardhur fillimisht në bashkëpronësi nga Modena në Itali. Në kampin korçar duan të jenë shumë të kujdesshëm, me qëllim që të përfitojnë maksimalisht nga vlerat e lojtarit në fjalë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"