EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-trajnerit Hafizi: Brdariç nuk kishte çfarë t’i ndryshonte ekipit, ja ku gaboi Vllaznia (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 21:09

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-trajnerit Hafizi: Brdariç nuk kishte çfarë t’i ndryshonte ekipit, ja ku gaboi Vllaznia (E PLOTË)

Ëndrra e shkodranëve për titullin kampion të Vllaznisë pas shumë vitesh u shua mbrëmjen e së dielës, kur ajo barazoi me Egnatian dhe nuk mundi të shkonte në finale, për shkak të renditjes më të dobët në kampionat.

hafizi

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Astrit Hafizi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka dhënë mendimin e tij për atë kuqeblutë treguan këtë sezon. Pavarësisht se nuk u menaxhua mirë situata për të qenë në finalen e titullit, sipas tij, ky sezon nuk mund të quhet i pasuksesshëm për Vllazninë. Finalen e titullit mes Partizanit dhe Egnatias Hafizi e sheh të baraspeshuar, ndërkohë që jep këshillat e tij për Vllazninë e sezonit të ri. Ai shprehet se klubi duhet afrojë lojtarë që bëjnë diferencën, edhe pse ata kanë kosto.

Profesor Hafizi, si e shikoni rrugëtimin e Vllaznisë në këtë kampionat?

Mund të them se ishte me shumë oshilacione. Një nisje jo e mirë në fillim, me ndryshimin e trajnerit dhe me një ngjitje të ekipit me trajnerin e ri. Skuadra pati sërish oshilacione, që çuan në largimin e trajnerit të dytë dhe ardhjen e trajnerit aktual, që për kohën që kishte në dispozicion, nuk kishte çfarë të ndryshonte.

Mosarritja e finales mund të quhet dështim për Vllazninë?

Nuk mund të mendoj kështu. Vllaznia nuk u mendua se do të ishte një prej pretendentëve për titull. Ndryshimet që thashë më sipër dhanë një tjetër pamje. Kur mbërrin për një vend në finale, gjithçka duket e hapur, por Vllaznia pati kundër edhe rregulloren e “Final 4”. Duhet thënë se me humbjen e vendit të dytë, Vllaznia humbi edhe mundësinë që të kishte në lojë dy rezultatet. Të dyja skuadrat finaliste kishin edhe këtë faktor plus në krahun e tyre.

Ku mendoni se gaboi Vllaznia?

Mendoj se Vllaznia gaboi që në nisje. Lojtarët që u afruan nuk ishin ata që duheshin. Trajnerit iu afruan lojtarë që nuk ishin për të shkuar aty ku duhet, pra Vllaznia gaboi që në ndërtimin e saj. Lëvizjet e trajnerëve sollën diçka pozitive, duke bërë që skuadra të ndryshonte. Vllaznia gaboi edhe në strategji në fund të sezonit, ajo duhet që të kishte bërë më shumë që të mbante vendin e dytë dhe të ishte favorite. Nëse do të ishte në dy vendet e para, do të luante për dy rezultate, por e humbi vendin e dytë dhe kjo solli atë fakt që e penalizoi.

Në takimin ndaj Egnatias, ku duhej të kishte bërë më tepër?

Duhet që të kishte kërkuar rezultatin më me durim dhe më me logjikë.

Mendoni se kualifikimi në kompeticionet europiane ishte maksimumi për Vllazninë në këtë edicion?

Me gjithë ato oshilacione që skuadra tregoi këtë sezon, mendoj se ishte një edicion i suksesshëm për të. Nga mënyra si u nis sezoni, siç e thashë edhe më lart, ishte maksimumi për Vllazninë. Në përballjet me një takim, siç ishte ai kundër Egnatias, mund të zgjidhet gjithçka edhe me një fragment. Por nisur nga çfarë ka dhënë Vllaznia dhe dy skuadrat finaliste të kampionatit, mendoj se ishte një rezultat i mirë për të.

Partizani dhe Egnatia, sipas jush, e kanë merituar këtë finale?

Mendoj se po. Partizani ka bërë mirë në fillim, por edhe në fund të këtij sezoni, deri në takimet e “Final 4”. Por mendoj se Egnatia ka qenë që nga fillimi dhe në fund një skuadër që ka kryesuar me meritë. Të dyja kanë qenë pretendente së bashku me Vllazninë, por që të dyja edhe finishin e kanë të mirë.

Kë shikoni fitues të trofeut?

Mund të them se gjithçka është 50 me 50. Partizani ka bërë gjithçka më mirë në këtë finish, ndërsa Egnatia nuk është më ajo e para, edhe pse ka një ekip të konsoliduar dhe me shumë cilësi. Në një ndeshje teke dhe ku gjithçka është e barabartë, edhe shanset janë të tilla.

Çfarë duhet të bëjnë më mirë drejtuesit e Vllaznisë për sezonin e ri, që të kthejnë pas kaq shumë vitesh trofeun e kampionit në Shkodër?

Mendoj se duhet të bëjnë kujdes aty ku këtë sezon gabuan. Në përzgjedhjet e lojtarëve. Duhet të bëjnë një ndërhyrje në merkato me lojtarë që bëjnë diferencën, pavarësisht se mund të shpenzojnë më shumë tek to dhe të mos kursejnë që të mbajnë lojtarët e dalë nga akademia e saj. Çdo ekip ka lojtarë shkodranë, edhe Egnatia ka tre të tillë. Ata duhet t’i mbajnë shkodranët dhe të mos kursejnë për ta. Përveç tyre të afrojnë tre apo katër lojtarë cilësorë që të bëjnë diferencën. Nëse ndërtohet një ekip i tillë dhe me një trajner si Brdariç, që mund të them se e njeh tani filozofinë e Vllaznisë, mund të jetë shumë më ndryshe sezonin e ri. E rëndësishme është që afrimet të jenë cilësore. Jo me shumicë, por me cilësi. Vllaznia vetëm kështu mund të bëhet, duke ditur që duam apo s’duam, ai qytet prodhon çdo vit lojtarë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"