EKSKLUZIVE/ “Bomba” e merkatos së kuqe, Vijarreali në gjurmët e Magetit të Partizanit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2024 | 23:58

EKSKLUZIVE/ “Bomba” e merkatos së kuqe, Vijarreali në gjurmët e Magetit të Partizanit (E PLOTË)

Maget Gueje është “ylli” i shndritshëm i Partizanit të këtij sezoni. Si i tillë, emri i senegalezit është në qendër të merkatos dhe largimi nga Partizani në fund të sezonit duket thuajse i pashmangshëm.

maget

“Panorama Sport” mëson se së fundmi për 21- vjeçarin kanë shfaqur interes gjigantët spanjollë të Vijarrealit. Burime për gazetën bëjnë me dije se skautë të klubit spanjoll kanë parë nga afër senegalezin dhe pas kontakteve me agjentët e tij, kanë intensifikuar interesin për të riun.

Maget ka krijuar përshtypje shumë pozitive në sytë e zbuluesve spanjollë, të cilët në analizën e tyre kanë parë cilësitë e një lojtari, që në harkun e pak kohëve mund të bëhet i rëndësishëm edhe për ekipin e parë.

Deri më tani mes klubeve ka pasur vetëm dijeni për interesim, teksa pritet oferta zyrtare. Partizani me Maget kërkon të thyejë rekorde. Vetë presidenti Demi ka pretenduar që mesfushori të shitet për shifra të ngjashme me 1.4 milionë eurot që u shit Skuka te Metzi. Vijarreal është një klub protagonist prej dekadash në LaLiga, teksa këtë sezon e mbylli në vendin e tetë. Financat e një klubi të këtyre përmasave nuk do ta kishin aspak të vështirë të përmbushnin “oreksin” e Partizanit.

Vetë Maget është i hapur për një lëvizje të tillë dhe pret vetëm zhvillimet e negociatave mes dy klubeve dhe agjentëve të tij. Duhet theksuar se Maget është nën menaxhimin e një kompanie të madhe menaxheriale, me qendër pikërisht në Spanjë. Agjentët e të riut kanë nën menaxhim edhe lojtarë si Fabian Ruiz, Luis Alberto apo Kristof Baumgartner i Lajpcigut. Maget në këtë sezon ka shkëlqyer me Partizanin, duke dhuruar paraqitje spektakolare dhe kontribuar me plot 6 gola, 3 prej tyre në derbet kundër Tiranës.

Djaloshi ka arritur të asistojë dy herë për shokët e ekipit. Më shumë se shifrat, cilësitë e tij janë ato që ngjallin interes të klubeve më të pasura, duke shkuar deri në nivele të tilla. Në rast se materializohet, ky kalim do të përbënte kapërcimin më të madh që një futbollist do të bënte nga Kategoria Superiore. Vlera aktuale e 21-vjeçarit në “Transfermarkt” është 400 mijë euro.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"