EKSKLUZIVE/ “Federata na ka thënë që…”, trajneri i Mirditës: Ja pse futa një lojtar të dënuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2021 | 23:33

EKSKLUZIVE/ “Federata na ka thënë që…”, trajneri i Mirditës: Ja pse futa një lojtar të dënuar

Aldi Pjetri nuk ka mbushur ende 30 vjeç, por ka marrë përsipër ta drejtojë Mirditën në Kategorinë e Dytë, ndërsa në sezonin e kaluar ishte kapiten i kësaj skuadre. Dje në Cërrik ndodhi diçka që nuk ka lidhje me futbollin, por trajneri i ri, në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, mundohet të tregojë me detaje pse gjithçka precipitoi. Pjetri tregon edhe mënyrën se si mund të ishte shmangur ky skandal, ndërsa mendon se arbitri nuk diti ta menaxhonte situatën.

159218036_1405580506457440_639434275321462571_n

Aldi, ju drejtoni Mirditën. A mund të na thoni pse ndodhi ky incident i shëmtuar?

Në stadiumin e Cërrikut kishte një numër të konsiderueshëm tifozësh, por pa iu futur fare faktit që nuk duhet të lejohen, situata u acarua në momentin kur nisën të ofendonin lojtarët tanë. Në gjaknxehtësi e sipër, disa nga futbollistët u kundërpërgjigjën nga fusha. Mirëpo, në këtë moment arbitri u nxitua, duke mos e menaxhuar mirë situatën.

Pse u nxitua arbitri?

Lojtari ynë, Marku, i ka kërkuar arbitrit të shikojë se çfarë ndodhte me tifozët. Ai nuk mori masa për ta, por e ndëshkoi direkt me të kuq lojtarin tonë. Nuk i ka dha asnjë shpjegim futbollistit dhe normalisht njerëzit nuk janë me ujë, por me gjak. Kur shikon padrejtësi ndeshje pas ndeshjeje, akumulohet pjesa e nervave. Ishte një moment që mund të evitohej, sepse nuk mund të japësh të kuqe për lojtarët se s’merr dot asnjë masë për tifozët. Gjyqtari duhet të kishte folur me delegatin dhe të qetësonte situatën, por bëri të kundërtën, e acaroi më keq me ndëshkimin e futbollistit tonë. Me një menaxhim më të mirë nga ana e arbitrit, natyrisht që kjo nuk do të ndodhte.

180870362_161685539215398_7211561445907646372_n

 

Arbitri pretendon se është goditur në hundë dhe ka frakturë…

Në atë moment lojtari ynë e ka shtyrë arbitrin dhe ka tentuar ta godasë. Unë kam qenë në pankinë dhe nuk e kam parë mirë nëse e ka goditur apo jo, siç pretendon arbitri. Pasi ndodhi incidenti, menjëherë u futa në fushë për të qetësuar ekipin. Në momentin që ndodhin gjëra të tilla, gjyqtarët tanë dhe sidomos në këtë kategori, duan t’i bëjnë gjërat tragjike. Ai pretendonte se i kishin thyer hundën, por unë isha vetë në komisariat dhe gjyqtari ishte krejt në rregull. Ne distancohemi nga këto akte, por arbitri nuk duhet të viktimizohet.

Çfarë ndodhi më pas, agresori u arrestua nga policia?

Lojtari dhe të gjithë ne kemi qenë në stadium. Ka ardhur policia dhe kemi dhënë dëshmitë tona për ngjarjen. Nuk e di si do të procedohet me lojtarin, por kjo i takon policisë.

Pse aktivizuat një lojtar të dënuar me emrin e një tjetri?

Kemi pasur probleme gjithë kohës, sepse kemi pak lojtarë dhe rrezikuam të mos e vazhdonim aktivitetin. Këtë herë me Sopotin, për shkak të dëmtimit të futbollistit Ylli Gjegja, u detyruam të fusnim një lojtar (Armando Marku) që është i dënuar nga Disiplina. Këtë e bëjmë nga halli, pasi nuk kemi mundësi të tjera. E dimë që nuk është e rregullt, por jemi të detyruar. I binte të luanim me 10 lojtarë me Sopotin!

Tashmë rrezikoni të përjashtoheni fare. Ju vjen keq që ndodhi kështu?

Ne jemi në vend të fundit me vetëm një pikë dhe nuk kemi asnjë pretendim për të qëndruar në kategori. Për të plotësuar lojtarët ndodhi ajo që ndodhi. FSHF na ka thënë që të bëjmë përpjekje të mos e braktisim garën. Pas tërheqjes së klubit të Spartakut në fillim të kampionatit, nëse do të iknim edhe ne, s’do të ishte normale. Problemet tona kanë qenë të mëdha nga ana financiare dhe me zor kemi rezistuar deri tani. Kur detyrohemi të fusim edhe lojtar të dënuar, mendo se në çfarë gjendjeje jemi! Mirëpo, duke qenë në vend të fundit, me ne është abuzuar në çdo ndeshje nga arbitrat. Na paragjykojnë dhe na dënojnë shpesh, duke përkrahur skuadrat e tjera. Në momente padrejtësie, natyrisht që ka edhe gjaknxehtësi dhe reagime.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

FOTO/ Film aksion gjatë ndeshjes Sopoti-Mirdita, futbollisti gjakos gjyqtarin, izolohet në dhomë, por arratiset nga dritarja

Goditi arbitrin dhe ia mbathi nga dritarja e banjos, vetëdorëzohet lojtari i Mirditës

Dhuna ndaj gjyqtarit në Cërrik, Mirdita kërkon ndjesë publike: Ishin akumulimet e gjithë sezonit, lojtarët tanë janë ofenduar masivisht

Futbollisti gjakosi gjyqtarin dhe u arratis nga dritarja, reagon FSHF: Ngjarje e rëndë që njollos gjithë futbollin! Organet e drejtësisë sportive do të…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"