Trajneri Mërgjyshi nuk e prek Apoloninë fituese, kundër Luzit luhet si me ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 22:30

Trajneri Mërgjyshi nuk e prek Apoloninë fituese, kundër Luzit luhet si me ballshiotët

Apolonia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për transfertën e së dielës me Luzin. Kjo përballje e vështirë është shumë e rëndësishme sa u takon objektivave të fierakëve, ku vetëm fitorja i afron më shumë me katërshen e parë në renditje.

apoloniaa

Për këtë arsye, gjatë gjithë këtyre ditëve në kampin fierak janë munduar të analizojnë deri në detajet më të vogla kundërshtarin për ta goditur në pikat e tij të dobëta. Edhe pse ndodhen në skaje të kundërta, me paraqitjet që kanë bërë skuadrat respektive në javët e fundit, duket sikur këto diferenca mund të zerohen. Fitorja e thellë kundër Bylisit e ka rritur vetëbesimin në ekipin e drejtuar nga Artan Mërgjyshi, pasi mundën një nga ekipet më në formë të kampionatit.

Duket se edhe në këtë ndeshje, trajneri do të vazhdojë të mbajë skuadrën të pandryshuar sa u përket titullarëve që do të hedhë në fushën e lojës. Kjo është lënë të kuptohet në seancat e fundit stërvitore të këtyre ditëve. Duket se më në fund janë gjetur ekuilibrat që fierakët kërkonin prej kohësh me një skuadër që po funksionon më së miri dhe kryen si duhet detyrat në çdo repart.

Formacioni- Harizaj është titullar i padiskutueshëm në portë dhe para tij trajneri Mërgjyshi do të rreshtojë një mbrojtje me shumë muskuj. Ndubuisi dhe Repaj në qendër, ndërsa Asllanaj me Hebejën nga krahët.  Para mbrojtjes do të luajë mesfushori Shanaj, ndërsa nga krahët e mesfushës, parashikohen Rakipaj dhe Bejzade. Ndërsa në fazën ofensive, Trifoni dhe Maksuti do të jenë në ndihmë të Umejiegos si sulmuesi i vetëm i deklaruar.

Me këtë formacion, Mërgjyshi mposhti thellë Bylisin. Ndeshja me Luzin është edhe një lloj udhëkryqi për Apoloninë, që duhet të “zgjedhë” ku do të shkojë në fund: në katërshen e parë, apo thjesht pjesëmarrëse në “play off”. Nëse zgjedhin variantin e parë, fierakët duhet të fitojnë patjetër në Luz, për të pritur pastaj një ndalesë të Vorës në transfertë me Elbasanin, që luhet të hënën.

Bilanci- Në tri ndeshje të luajtura këtë sezon me Luzin, Apolonia ka një bilanc pozitiv, sepse ka marrë 3 fitore, dy në kampionat dhe një në Kupë. Fillimisht në transfertë me rezultatin 0-3, me autor të golave sulmuesit Maksuti e Umejiego dhe mesfushorin Bejzade. Më pas fituan 2-1 në Kupë, ndërsa fitorja e tretë u arrin në fazën e dytë në shifrat 1-0 në Fier, ku shënoi Stefano Omeri. Plot katër gola të shënuar dhe asnjë i pësuar në kampionat. Statistikat nuk vendosin në fushë, por diçka tregojnë, se edhe në këtë rast Apolonia i ka shifrat në favor të saj.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"