Analiza e javës së 32-të/ Elbasani kampion e Luzi në të Dytën, ja çfarë pritet nga java e fundit e së Parës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2024 | 0:12

Analiza e javës së 32-të/ Elbasani kampion e Luzi në të Dytën, ja çfarë pritet nga java e fundit e së Parës

Java e 32-të, ose e parafundit e sezonit të rregullt, në Kategorinë e Parë ka përcaktuar dy verdikte madhore, për sa i përket dy skajeve të renditjes. Elbasani falë fitores së thellë me Tomorin, në shifrat 5-0, dhe barazimit pa gola të Bylisit në Vorë, ka siguruar edhe matematikisht titullin kampion për sezonin 2023-2024 në këtë kategori.

elbasan

Luzi 2008, me humbjen 1-0 në Vlorë, bëhet shoqëruesi i Tomorit që së bashku në sezonin e ardhshëm do të militojnë në Kategorinë e Dytë. Pra, dy skuadrat që ngjiten direkt në Superiore janë Elbasani që siguroi edhe titullin një javë para fundit, si dhe Bylisi i vendit të dytë. Ndërsa Tomori dhe Luzi kanë zbritur direkt në të Dytën. Në javën e fundit pritet që të përcaktohen çiftet e “play off”-it, ku Flamurtari është i sigurt si i treti, ndërsa Vora dhe Apolonia luftojnë për vendin e katërt. Në 90 minutat e fundit nuk do të mungojë lufta për mbijetesën direkt dhe kush do të jenë dy ekipet që do të përfundojnë në ndeshje shtesë. Më të rrezikuar për të shkuar në “play out” janë Besa dhe Lushnja.

Ishte menduar që Bylis-Elbasani do të vendoste titullin në javën e fundit, por duke ditur se pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 32-të diferenca shkoi në pesë pikë, i bie që dy ekipet të luajnë për të përmbushur kalendarin dhe verdheblutë të ngrenë trofeun. Java e parafundit ka qenë e trazuar, ku nuk kanë munguar polemikat, tensionet, rastet e dyshimta, por edhe “përgjumjet” e disa ekipeve të pa interesuara duke u dhënë deri-diku një dorë nevojtarëve. Derbi i Prefekturës Dibër u zhvendos tre herë gjatë javës sa në Peshkopi dhe në Pezë, por në fund u luajt ku i takon dhe trepikëshin e morën matjanët.

Korabi në këtë ndeshje mendoi më shumë për “play off”-in duke i kursyer titullarët, gjë e cila i shkoi përshtat Burrelit, që për momentin është jashtë zonës së rrezikut. Ndeshja më problematike u luajt në “Roza Haxhiu”, ku Kastrioti mes polemikash e tensionesh arriti të barazojë në shifrat 0-0 duke marrë një pikë me vlera mbijetese. Lushnjarët akuzuan në fund, madje trajneri Gugash Magani akuzoi për aleanca turpi dhe për ndeshje që fitohen në tavolina. Histori kjo që përsëritet thuajse në çdo fundsezoni, por klubet bërtasin vetëm kur ndjejnë dhimbjen duke i kaluar në heshtje fazat e para të sëmundjes.

Edhe Apolonia e priti Besën me mendjen te “play off”-i, ku padyshim kjo gjë u leverdiste kavajasve, që minimumi shmangën më të keqen, rënien direkte në të Dytën. Vora dhe Bylisi thjesht sa bënë uniformat për të larë, pasi nuk paraqitë asgjë përveç dhuratës “online” për Elbasanin, sigurimin e titullit kampion. Respekt në këtë javë meriton Flamurtari. Edhe me të rinjtë vlonjatë bënë lojën e tyre ndaj Luzit duke respektuar emblemën dhe fanellën e klubit.

formac

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"