Ish-sulmuesi vendosi mbijetesën sezonin e shkuar. “Heroi” Pepa: Ja si shpëton Lushnja në shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 22:10

Ish-sulmuesi vendosi mbijetesën sezonin e shkuar. “Heroi” Pepa: Ja si shpëton Lushnja në shtesë

Java e 32-të e Kategorisë së parë ka rezultuar jo e favorshme për Lushnjën, pasi nga skuadrat që luftojnë mbijetesën direkte, doli më e humbura. Lushnjarët nuk shkuan më shumë sesa barazimi pa gola në stadiumin “Roza Haxhiu” kundër Kastriotit.

Pepaaa

Praktikisht, skuadra verdhejeshile është në “play out” duke menduar për ndeshjen shtesë, pas përfundimit të sezonit të rregullt. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani janë të detyruar të përsërisin në “play out” suksesin e një sezoni më parë, kur fitonin 1-0 me Valbonën në “Elbasan Arena” me golin e një prej emrave më të spikatur të futbollit lushnjar, të sulmuesit Brunild Pepa. Heroi i lushnjarëve para një viti, tani jeton në Piza të Italisë dhe luan me skuadrën e Kuoiopelit. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” ish-sulmuesi i Lushnjës tha se skuadra verdhejeshile duhet të përqendrohet shumë te kjo ndeshje.

Një vit më parë shënuat golin e mbijetesës në ndeshjen shtesë me Valbonën, dhe u larguat nga Lushnja…

Ishte një ndeshje e vështirë. Një stres që binte më shumë te ne lushnjarët që ishim në ekip, pasi ishte një finale direkte, me një ndeshje të vetme. Lushnja është skuadra e zemrës, ekipi ku jemi rritur dhe e kishim detyrim fitoren. Shënova një gol nga ata që i kujton në çdo moment.

Edhe në përfundim të këtij sezoni, Lushnja me të gjitha gjasat do të jetë në “play out”, si e vlerësoni dhe pse ekipi po vuan kaq shumë?

Lushnja ishte projektuar për lart këtë sezon. Nuk e meriton vendin ku është tani. Gjithsesi, e di që Lushnja do ta gjejë forcën për ta kaluar këtë situatë.

Besoni se do të përsëritet e njëjta gjë, pra që Lushnja do ta fitojë sërish ndeshjen shtesë?

Besoj shumë, pasi i ka lojtarët dhe kapitenin Canka që nuk dorëzohet në të tilla ndeshje.

Ku e mbështesni besimin tuaj?

Te lojtarët, tifozët, te stafi. Shoh që janë të bashkuar dhe do t’ia dalin me sukses të fund të kësaj finaleje.

Cili është sugjerimi juaj për ekipin?

Sugjerimi im është që t’i japin forca. Një ndeshje është. Të mendojnë për këtë sfidë, të luftojnë dhe të japin më të mirën që kanë. T’i mbështesim të gjithë.

Cila është rrugëdalja sipas jush?

Rrugëdalja është të mendojnë të gjithë dhe të përqendrohen, se janë më të fortë se kundërshtari që do të kenë përballë. Kjo është e sigurt. Të dëgjojnë stafin dhe të rrinë të bashkuar.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"