Filip Najdovski mbyll sezonin! Halili zbret në fushë, presidenti i Tiranës kërkon një sforco nga ekipi për “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 22:37

Filip Najdovski mbyll sezonin! Halili zbret në fushë, presidenti i Tiranës kërkon një sforco nga ekipi për “Final 4”

Tirana është në “fije të perit” për objektivat e saj, ndërkohë që dje në “Skënder Halili” ka zbarkuar Refik Halili për t’i qëndruar afër skuadrës.najdovski

Numri një i klubit bardheblu, në prag të dy sfidave më të rëndësishme të sezonit, atë me Vllazninë ditën e mërkurë dhe Egnatian ditën e shtunë po ndjek me kujdes çdo seancë stërvitore. Jo vetëm kaq, por ditën e diel ai ka qenë i pranishëm në analizën që ka bërë ekipi për sfidën me Laçin. Lëvizja e Halilit vjen pas dy humbjeve të rënda që ka pësuar skuadra ndaj Partizanit në derbi dhe takimin me Laçin.

Presidenti ka shkundur skuadrën para një ndeshjeje të madhe si takimi me Vllazninë dhe ka kërkuar gjashtë pikë nga grupi në dy takimet mbyllëse të sezonit të rregullt. Gjashtë pikë që mund të mos mjaftojnë që Tirana të arrijë “Final 4”, ndërkohë që bardheblutë rrezikojnë edhe fundtabelën dhe “play-out”-in. Halili në këtë sezon disa herë ka takuar skuadrën dhe pas një tjetër situate të vështirë ka pranuar se gabimi i tij ishte largimi i Orges Shehit dhe emërimi i Julian Ahmatajt pas tij. Një autokritikë që Halili e ka bërë para gjithë skuadrës dhe në sy të trajnerit të ri Erbim Fagu. Në këtë moment që flasim Tirana është e gjashta në renditje me 46 pikë.

NAJDOVSKI – Filip Najdovski i shtohet listës së lojtarëve të dëmtuar te Tirana. Futbollisti në fund të pjesës së parë me Laçin është dëmtuar në gju. Lojtari ka probleme në tendinën e gjurit dhe prej dy ditësh është duke bërë terapi në palestër. Mbrojtësi e ka mbyllur sezonin me bardheblutë, ndonëse duhen të luhet zyrtarisht edhe dy javë si dhe ndeshjet shtesë gjithmonë nëse Tirana kualifikohet në to. Maqedonasi ka ardhur te bardheblutë në gusht të vitit 2020 nga Vardari. Ai ka qenë titullar i skuadrës si dhe kapiten i ekipit deri në janar të këtij viti. Më pas në skuadër plasi një përplasje. Për Najdovskin këto janë javët e fundit me bardheblutë. Lojtari ka vendosur që të mos rinovojë, duke mbyllur një aventurë të gjatë me skuadrën e Tiranës. Najdovski me Tiranën ka fituar një titull kampion dhe një Superkupë të Shqipërisë. Për të janë të interesuara shumë skuadra në Superiore dhe në Maqedoninë e Veriut.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"