“Matjanët janë ‘kockë e fortë” në shtëpi, të mos mundemi”, Canka: Lushnja ia del në Burrel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 21:37

“Matjanët janë ‘kockë e fortë” në shtëpi, të mos mundemi”, Canka: Lushnja ia del në Burrel

Lushnja rikthehet në stadiumin “Liri Ballabani”, aty ku realizoi pikët e para të këtij sezoni. Në 23 shtatorin e vitit të kaluar, Lushnja do të fitonte 2-0 kundër Burrelit, me golat e Mikel Cankës dhe Xhejms Ajindes.

Canka

Edhe kjo përballje e fazës së tretë është sikurse starti i sezonit për verdhejeshilët, pasi diferencat janë vetëm tri pikë. Lushnja është në një garë katërshe së bashku me Kastriotin, Besën dhe Burrelin, për mbijetesën. Secila nga këto skuadra nuk dëshiron të zgjasë kampionatin me ndeshjen shtesë në fund të sezonit të rregullt. Fitorja me Besën i dha përparësi lushnjarëve, që ndërruan marsh pas tre humbjeve radhazi. Skuadra e Maganit ndodhet në vendin e shtatë, në një pozicion që mund ta ruajë nëse vijon me rezultate pozitive përballë kundërshtarëve të drejtpërdrejtë.

Verdhejeshilët vijojnë të përgatiten për ndeshjen e radhës, atë të ditës së diel që do ta luajnë në stadiumin “Liri Babllabani” të Burrelit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni i lushnjarëve Mikel Canka u shpreh me optimizëm. “Arritëm një fitore të merituar me Besën, ku treguam vendosmëri, këmbëngulje dhe e merituam plotësisht. Kemi një ndeshje të vështirë me Burrelin, që i ka pozitat e njëjta. Kjo sfidë është po aq e rëndësishme sa ndeshja me kavajasit. Duhet të japim maksimumin që mos të dalim pa pikët tona nga Burreli.

Matjanët kanë një ekip të mirë, janë një ‘kockë e fortë’ në fushën e tyre. Të përqendrohemi për të marrë maksimumin. E vlerësojmë si kundërshtar, por po arrijmë në fund të kampionatit prandaj duhet maksimumi për të marrë më të mirën. Dhe më e mira jonë janë pikët”, deklaroi për gazetën kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i Lushnjës, Mikel Canka. Me një trepikësh në Burrel, skuadra e Maganit do të largonte rrezikun e rënies.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"