Apolonia harron humbjen me Besën, fierakët bëjnë gati “kurthin” për matjanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 16:50

Apolonia harron humbjen me Besën, fierakët bëjnë gati “kurthin” për matjanët

Te Apolonia nuk ka kohë për pushim, pasi fierakët i pret një kalendar i ngjeshur, ku përveç javës së fundit të kampionatit që luhet të mërkurën, janë të angazhuar edhe në fazën “play off”. Seanca e parë stërvitore në funksion të transfertës së Burrelit u krye të dielën, ku morën pjesë lojtarët titullarë që nuk u aktivizuan në fundjavë ndaj Besës.

apolonia

Bëhet fjalë për portierin Harizaj, mbrojtësit Repaj dhe Asllanaj, mesfushorët Shanaj dhe Bejzade, si edhe sulmuesi Umejiego. Ndërsa seanca e djeshme nisi në orën 14:30 në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Futbollistët dhe stafi i trajnerit Artan Mërgjyshi u mblodhën fillimisht në mesin e fushës, ku foli për pak minuta në lidhje me sfidën e nesërme kundër Burrelit dhe më pas shpalosi programin stërvitor. Pas këtij momenti të shkurtër, ekipin e mori në “patronazh” përgatitësi atletik, i cili zhvilloi për rreth 25 minuta ushtrime tekniko-fizike.

Më tej, trajneri Mërgjyshi i urdhëroi lojtarët të bënin vrapime rreth fushës për 10 minuta. Pas kësaj nisën lojërat në funksion të automatizimit të veprimeve. Pas 25 minutash krosime e gjuajtje në drejtim të portës, lojtarët morën një tjetër pushim të shpejtë. Më pas, ekipi u nda në dy grupe, ku u kërkua veçanërisht goditja në portë nga pozicion ballor mbi 20 metra. Një futbollist shërbente, tjetri godiste duke u alternuar herë pas here. Në këtë ushtrim ra në sy sulmuesi Trifoni dhe mbrojtësi Repaj, të cilët realizuan shpeshherë supergola. Në fund u zhvillua një ndeshje kontrolli, ku në njërën anë ishin lojtarët që pritet të luajnë titullar ndaj Burrelit dhe në krahun tjetër pjesa e mbetur e ekipit.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"