EKSKLUZIVE/ Kualifikimi historik, Demollari: Ndeshja me Van Basten dhe dhurata epike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 20:39

EKSKLUZIVE/ Kualifikimi historik, Demollari: Ndeshja me Van Basten dhe dhurata epike

Kapiteni i parë i atij formacioni debu tues të Kombëtares U-18 të Shqipërisë ishte Sulejman Demollari. Ende gjimnazist, por i vlerësuar nga specialistët dhe media për paraqitjen e tij, duke iu rikthyer asaj pjesëmarrje, kujton me detaje katër dekada më pas për “Panorama Sport” kualifikimin historik.

DEMOLLARI

“Në atë turne, as 18 vjeç kam qenë. Isha gjimnazist, kapiten ekipi dhe shënova golat e parë. U kualifikuam dhe kam një kujtim nga holandezi Vanenburg”, tregon ndër të tjera “Demo”.

Demollari, diçka rreth dy takimeve me Qipron, ku ju jeni protagonist?

Ai ishte një grup me lojtarë të rinj, të seleksionuar nga disa grumbullime, turne, siç ishte ai në Kupën Ballkanike në Turqi. Ishin lojtarë që premtonin dhe fakti e tregoi që në pak vite, u bënë titullarë në ekipin përfaqësues dhe klubet e tyre.

Jo vetëm unë, por edhe disa të tjerë u evidentuan në dy sfidat me Qipron. Administruam mirë ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”, fituam thellë 4-0, por ndryshe ishte në Larnaka. Aty fusha ishte me shtuf dhe na krijoi vështirësi. Humbën 2-0, por ama u kualifikuam.

Jeni kapiten i parë i atij formacioni historik, çfarë kujtoni kur ju dhanë shiritin?

Trajneri Bahri Ishka mundet të më jetë nisur edhe nga fakti se kisha disa muaj që luaja titullar me Dinamon, ku ishin Luarasi, Çoçoli, Hazbiu, Zëri, Ballgjjni, Targaj, Marko, Çobani, Canaj, etj. Si me Qipron, në Helsinki, kam qenë kapiten e skuadrës. Një shirit që e kam mbajtur te Kombëtarja U-23, kombëtarja e madhe, Dinamo e Tiranës, Dinamo e Bukureshtit.

Në fazën finale ishit në grup me skuadra të traditës…

Kemi qenë një grup të vështirë dhe ishte Skocia, që u shpall kampione. Ndërsa Holanda kishte një skuadër me futbollistë që në pak kohë u bënë të famshëm.

Baza ishin lojtarë të Ajaksit, si portieri Menzo, Van Ship, Van Basten. Siç u informuam aty për Van Bastenin, ata e konsideronin të perspektivës. Kundër tij luajti Raxhimi. Disa prej atij grupi, më 1988-ën, u shpallën kampionë të Europës.

Jeni autor i një dygolëshi të parë dhe të rëndësishëm kundër Qipros…

Dy gola të rëndësishëm për atë ndeshje, kualifikimin, por edhe për karrierën time me fanellën kuqezi. Gola shënuan edhe Sokol Kushta, Mirel Josa, që ishin ndër lojtarët më aktivë në ato takime. Madje Josa realizoi kundër Holandës duke barazuar 1-1 dhe kjo i shtangu ata. Pastaj holandezët realizuan edhe dy gola të tjerë që fituan, por me shumë vështirësi. Ndërsa Kushta shënoi ndaj Turqisë, kur ata ishin në avantazh, duke barazuar rezultatin.

Kundërshtarë në fushë, por të gjithë së bashku në akomodim. Si i kujtoni grumbullimet?

Të katër skuadrat, stafet, ishim sistemuar në një kamping, në periferi të Helsinkit, me vila një katëshe. U miqësuam, takoheshim, komunikonim me njëri-tjetrin. Në një ndër ato ditë, Gerald Vanenburg me ftoi në dhomën e tij. Kishim shkëmbyer flamurët, si dy kapitenë në takimim me Holandën, kujtoj, një lojtar shtatshkurtër, energjik. Edhe ky ishte i Ajkasit. Shkova, u befasova, pasi ai më kishte përgatitur një dhuratë.

Për çfarë bëhet fjalë?

Një fanellë të Ajaksit, atë klasiken, me numrin 14-të. Ishte e tij me numrin e Johan Krujfit. Bashkë me të edhe një palë këpucë. Edhe pse ishin 37-38, të vogla për mua, i mora dhe kur jam kthyer në Tiranë, ja kam dhënë Agron Hazbiut, meqë ai kishte atë numër këmbe. Ndërsa bluza ka bërë xhiro në të gjitha plazhet e Shqipërisë. Një javë e merrte një shok i gjimnazit, pastaj një tjetër dhe kështu qarkullonte.

DEMOLLARI2

Keni pasur vetëm një përballje dhe direkt në “Final 4” të një Europiani?

Ai sistem ishte për kohën. Me një kundërshtar vajtje-ardhje shkoje në grupe. Nëse dilje i pari në grup, luaje gjysmëfinalen, pastaj finale. Një mënyrë e ngjashme edhe me formulën që aplikohet sot në fazën finale të një botërori apo europiani. Më vonë, kam qenë edhe lojtar i Shpresës, në kualifikimi në grupin elimintaror, pastaj barazimi në Gjermani dhe në 8 skuadrat më të mira ët Europës. Luajtëm me Italinë, u eliminuam, ishte me ndeshje direkte. Por, janë edhe dy pjesëmarrjet në fazën finale të Kampionatit Europian me përfaqësuesen, “Francë 2016” dhe tani në “Gjermani 2024”. Mendoj se ai me U-18 në Helsinki 1982, ka qenë i pari.

QIPRO: Hari, Zahariu, Stefanu, Pelehiritis, Grigoriu, Tofaris, Kandilos, Andrelis, Hrisstoforu (Marinos ’41), Sofroniu, Hrisostomu (Protopapas 78).

SHQIPËRIA: Shkurti, Gjergji (Dume 48), Gega, Iladhi, Pashaj, Josa, Demollari, Rrapo, Kushta, Raxhimi, Zhupa. Trajner: Bahri Ishka

ARBITËR: Selomir (Rumani);

KUQEZINJTË E RINJ, DREJT FINLANDËS PËR HERË TË PARË

Përfaqësuesja e të rinjve të Shqipërisë, nën moshën 18 vjeç, do të marrë rrugën drejt Finlandës më 18 maj 1982. Ekipi kryesohet nga zëvendëskryetari i Përgjithshëm i BFSSH-së, Kristaq Miço. Sërish ka ndryshime në grupin e lojtarëve që do të nisen në Helsinki:

Halim Durimi, Josif Gjergji, Skënder Gega, Eduard Zhupa (Shkëndija); Flamur Guga (Besa), Adnand Ocelli, Edmond Bilbili (Partziani); Hysen Zmijani, Isak Pashaj (Vllaznia); Artur Lekbello, Mirel Josa (17 Nëntori); Sulejman Demollari, Sadedin Raxhimi, Edi Barçi (Dinamo); Gilbert Rapo (Skënderbeu); Sokol Kushta (Flamurtari). Trainer: Bahri Ishka dhe Miço Ndini.

Së bashku me ekipin është edhe gjyqtari i ndërkombëtar, Plarent Kotherja, i cili do të gjykojë në finalet e këtij turneu. Ekipi shqiptar bën pjesë në Grupin D, së bashkë më Skocinë, Holandën dhe Turqinë. Në këtë fazë finale, marrin pjesë 16 skuadra, dhe e para e çdo grupi do të luajë në gjysmëfinale: fituesja e grupit A me atë C dhe ajo e grupit B. Më 30 maj në stadiumin “Olimpik” të Hesinkit dhe të zhvilohet finalja.

Po atë ditë do të luhet edhe për vendet 3 dhe 4. Grupet janë këto – “A”: RFGjermane, Irlanda, B. Sovjetik, Austria. Grupi “B”: Bullgari, Spanjë, Poloni, Belgjikë; Grupi “C”: Çekosllovakia, Finlanda, Portugalia, Hungaria. Spikasin takimet Austri-RFGjermane 4-1, B.Sovjetik-RFGjermane 1-0, Bullgari-Spanjë 2-1, Poloni-Spanjë 1-0, Belgjikë-Spanjë 3-1, Poloni-Belgjikë 1-0, Portugali-Hungari 2-1, Finlandë-Hungari 3-1, Portugali-Çekosllovaki 1-1, Çekosllovaki-Hungari 2-0, etj. Për më tej, kualifikohen, Bashkimi Sovjetik, Polonia, Belgjika dhe Skocia.

TRIUMFON SKOCIA, REAGON SHTYPI

Në tri takimet e luajtura ai ka qenë një përfaqësim modest, pozitiv, kështu duhet konsideruar, kur dihen faktorët, ndonëse pretendimet ishin për më shumë. Hera e parë në një “Final 4” të tillë europian, mungesë eksperience dhe kundërshtarët ndër më të fortët, si Skocia e Holanda. Ndërsa dy sfidat e para, u mbyllën me humbje, ndryshe ajo me Turqinë, e cila u zhvillua me rivalitet.

“Që në minutën e 5-të turqit kaluan në avantazh, por ka reagim nga skuadra shqiptare dhe Kushta do të barazojë në 40-ën. Epërsia kuqezi vazhdoi edhe në të dytën, por pa mundur të shënojnë””, lexojmë në shtypin vendës, i cili vijon komentin: “Skuadra shqipatre duhet të arrinte fitoren. Loja ishte mjaft tërheqëse dhe interesante, ku u dallua Demollari, Kushta, Rrapo e Zmijani”. Në përfundim, portieri Durim Halimi mori cmimin e portierit më të mirë të skuadrave të grupit “D”.

Gazeta e përditshme vendëse “Etela-Suomi”, për ndeshjen Skoci-Shqipëri , do të shkruante: “Ekipi shqiptar u përpoq shumë të tregojë aftësitë ndaj skuadrës tashme të njohur të Skocisë. Nuk duhet të harrojmë të përmendim lojtarin shqiptar Sulejman Demollari, i pasuar nga Mirel Josa”. Ndërsa për ndeshjen me Holandën, po kjo gazetë do të citonte:

“Holanda e pati tejet të vështirë për të fituar. Shqiptarët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, por megjithatë humbën. Për 19 minuta, ata patën epërsi të dukshme ndaj skuadrës holandeze. Ritheksojmë edhe një herë, që një shtytje të mirë i dha skuadrës kapiteni i saj, Demollari, i cili u dallua për aftësi organizuese. Gjithashtu, vlen të përmendim edhe lojën e mirë të Sokol Kushtës dhe Isak Pashajt”.

Rezultatet në Grupin D: Skoci-Shqipëri 3- 0; Holandë-Turqi 3-1; Skoci-Turqi 2-0; Holandë-Shqipëri 3-1 (Josa); Skoci-Holandë 1-1; Shqipëri-Turqi 1-1 (Kushta).

Renditja finale: Skocia 5 pikë (2/1/0 gol: 6-1); Holanda 5 pikë (2/1/0 gol: 7-3); Turqia 0 pikë (0/1/2 gol: 2-6; Shqipëria (0/1/2 gol: 2-7).

Gjysmëfinale: Çekosllovaki-Bashkimi Sovjetik 1-0 dhe Skoci-Poloni 2-0; Për vendet 3-4, Poloni-Bashkimi Sovjetik 1-3; Finalja: Skoci-Çekosllovaki 3-1.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"