Mallkimi i orës 12:30, Klop: Kjo është kriminale! Me Salah nuk kam asnjë problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2024 | 9:31

Mallkimi i orës 12:30, Klop: Kjo është kriminale! Me Salah nuk kam asnjë problem

Trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, këmbëngul se nuk ka asnjë problem mes tij dhe Mohamed Salahut pas përplasjes së tyre në ndeshjen me Uest Hemin fundjavën e kaluar.

klop

Në konferencën e tij për shtyp pas barazimit 2-2 me “Çekiçët”, shefi i “Reds”-ave tha se gjithçka ishte sqaruar, pavarësisht se Salah tha i zemëruar në zonën miks: “Do të ketë zjarr nëse flas”. Por pothuajse një javë pas atij episodi, Klop tha se nuk kishte ndodhur asgjë e pazakontë.

“Është zgjidhur plotësisht. Nuk është problem. Nëse nuk do të njiheshim për kaq gjatë, nuk e di se si do ta trajtonim atë, por ne e njohim njëritjetrin prej një kohe të gjatë dhe e respektojmë njëri-tjetrin”, tha gjermani në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Totenhemit.

“Mendoj se ne kemi të drejtën që t’i menaxhojmë këto gjëra krejtësisht të pavarur nga çdo pritshmëri nga jashtë. Nuk është një histori. Në përgjithësi të gjithë janë në vendin më të mirë të mundshëm. Nëse ne fitojmë ndeshjet, shënojmë shumë gola, atëherë situata ndoshta nuk do të kishte qenë saktësisht kështu, sepse Mo nuk do të kishte qenë në stol”.

Përplasja e tyre në minutën e 79-të, kur egjiptiani po përgatitej për të hyrë në fushë ndezi spekulimet për të ardhmen e futbollistit, i cili mbush 32 vjeç në qershor dhe ka pak më shumë sesa një vit në kontratën e tij në “Anfield”. Megjithatë, Klop, i cili do të largohet nga klubi pas 9 vitesh në stol, komentoi për situatën e Salahut: “Të gjithë duhet të mësoheni me faktin që nuk është tema ime. Mo, si lojtar, është i jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj se duhet të flas për këtë. Të tjerët do ta vendosin këtë, veçanërisht Mo. Unë nuk kam asnjë shenjë se nuk do të jetë kështu (që dëshiron të largohet). Unë thjesht përpiqem të përgatis bazën për të ardhmen”.

KALENDARI – Që kur është bërë trajneri i Liverpulit, Klop ka luajtur 331 ndeshje në Premier Ligë, nga të cilët 45 kanë nisur në orën 12:30. Bilanci i tij në 331 ndeshjet në kampionat është 63% fitore, prandaj 49% sa herë luan në mesditë. Dhe në konferencën e djeshme ai ka nisur një sulm ndaj kanalit amerikan “TNT Sports”, duke e quajtur krim kalendarin e ngjeshur dhe tha se nuk do ta ndjekë më kurrë këtë kanal televiziv që dikton ndeshjet e tyre të luhen në këtë orar.

“Nëse të gjitha skuadrat angleze nuk shkëlqyen në Europë, ka një arsye. Premier Liga është kampionati më i bukur në botë, por lojtarët janë të shtrydhur. Dikush duhet të na ndihmojë. Një ditë më parë diskutova me kolegët e mi për kanalin e preferuar që unë nuk do ta shoh kurrë më, ‘TNT’. Është një çmenduri. Prisja që të ndërhynte organizata e të drejtave të njeriut ‘Amnesty International”.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"