Kategoria e Dytë/ Kryendeshja Luftëtari-Pogradeci, dy qytete “ziejnë” për ngjitjen. Në 2016-ën pati…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 22:15

Kategoria e Dytë/ Kryendeshja Luftëtari-Pogradeci, dy qytete “ziejnë” për ngjitjen. Në 2016-ën pati…

Luftëtari-Pogradeci është kryendeshja e kësaj jave në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar. Luhet të shtunën në orën 15:00 në stadiumin e Gjirokastrës dhe pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dyja skuadrave, në një kohë që si rrallë herë, do të jepet direkt edhe nga televizioni “MCN”, i cili ka të drejtën e transmetimit edhe të Kategorisë Superiore.

LUFTETARI POGRADECI

Janë 90 minuta që vendosin në një masë të madhe fatin e sezonit për të dyja ekipet, që kërkojnë rikthimin në Kategorinë e Parë. Pogradeci kryeson renditjen e grupit B me 48 pikë, ndërsa gjirokastritët janë vetëm një pikë më pak. Liqenorët e drejtuar nga Samuel Nikaj luajnë për dy rezultate, ndërsa bluzinjtë që udhëhiqen nga Edmond Dalipi, u intereson vetëm fitorja. Pas shkrirjes së klubit historik, KS Luftëtari në vitin 2020, në Gjirokastër e nisën nga e para, duke krijuar AS Luftëtari.

Fillimisht në Kategorinë e Tretë, ku u shpallën kampionë dhe në dy sezonet e fundit si pjesë e Kategorisë së Dytë. Këtë vit gjërat janë më serioze, me bashkinë dhe sponsorët që kanë investuar më shumë dhe kërkojnë me çdo kusht që të ngjisin skuadrën në Kategorinë e Parë. Në krye të herës së këtij projekti ka qenë ish-trajneri i ndjerë gjirokastrit, Mustafa Hysi, teksa në bazë të asaj që ka deklaruar edhe administratori i klubit, Dritan Kristidhi, synimi ishte që brenda 5 viteve Luftëtari të kthehet aty ku i takon: në Superiore.

Skuadra që i ka dhënë aq shumë futbollit shqiptar, jo më larg se gjashtë vite më parë mori pjesë në Kupat e Europës, por pas tre sezoneve radhazi brilantë në Superiore, gjithçka u shkatërrua prej problemeve të mëdha financiare me ish-drejtuesit. Nga ana tjetër, Pogradeci kërkon për të dytin sezon radhazi që të mos i ikë shansi i ngjitjes direkte në të Parën. Në vitin e kaluar liqenorët u ndien të “vjedhur” në garën me Elbasanin, ndërsa këtë herë luajnë sezonin në Gjirokastër.

E kaluara me Luftëtarin është e hidhur për Pogradecin, teksa iu ka hequr shansin e Superiores në vitin 2016 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, në një ndeshje që u mbyll me skena dhune nga vendësit. Këtë herë luhet në qytetin e gurtë dhe rëndësi ka që tifozët të shikojnë një ndeshje ku në fund të fitojë më i miri.

K2

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"