Kampion në volejboll me Partizanin, Ylli Tomorri: Besonim te titulli, ky sport po i rikthehet traditës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 19:44

Kampion në volejboll me Partizanin, Ylli Tomorri: Besonim te titulli, ky sport po i rikthehet traditës

Arkitekti i Partizanit të volejbollit të meshkujve është pa dyshim trajneri Ylli Tomorri, i cili vijon të vendosë rekorde mbi rekorde nga parketi në pankinë. Ndonëse me palmares të jashtëzakonshëm titujsh, tekniku kryeqytetas u shfaq shumë i emocionuar për fitimit të titullit kampion: “Ishte një udhëtim i gjatë, gati pa mbarim, por ne na është dukur shumë i shkurtër.

eea67e6b-3d67-4e15-aafc-44d192c82ad2

Pas këtij suksesi do të jem me lojtarët për t’i përgëzuar, për t’i uruar dhe për tu ndarë me një pjesë të tyre. Ishin finale dhe një volejboll shumë i bukur. Volejbolli duhet të jetë në qendër të vëmendjes, sepse është një sport që po rikthehet në traditën e vet siç ka qenë përpara. Të mos harrojmë që volejbolli ka qenë një nga sportet elitare në Shqipëri, me pjesëmarrje në Kupat e Europës, duke mbërritur deri në katërshe me Dinamon, duke fituar Kampionat Ballkanik me Dinamon e femrave, ne si Partizan jemi futur në 8 ekipet më të mira të kontinentit”, u shpreh fillimisht Tomorri, i cili më tej shtoi: “Ne jemi përgatitur fort për këtë kampionat, që me menaxhimin e skuadrës, me ndihmën e klubit, me ndihmën e sponsorëve tanë të mrekullueshëm që nuk janë ndarë për asnjë moment dhe me besimin që krijuan lojtarët dhe grupin që ndërtuan me njëri-tjetrin, aq sa pas kësaj ndeshje po qajnë sepse këto ditë lojtarët do të largohen”.

EMOCIONET – Trajneri i Partizanit rrëfen emocionet që të jep titulli, ndërsa flet edhe për marrëdhënien e shkëlqyer që ka me ekipin: “Në fakt unë kam shumë tituj kampionë dhe fitues kupash dhe jam gati afër pragut të rekordit për trofe. Do ta kisha kënaqësi nëse do ta arrija dhe duke qenë afër me këta djem të rinj, jam më i ri sesa kam moshën. Vlerësimi që kam nga këta djem është i paimagjinueshëm, duke nisur që nga mënyra sesi më trajtojnë, si më respektojnë, si vijnë në stërvitje pa humbur asnjë seancë, në shi, në të ftohtë. Të gjithë kanë qenë në stërvitje dhe me qëllim, besimplotë për të dalë kampionë”.

E ARDHMJA – Trajneri Tomorri shpreson që të Partizani të marrë pjesë në Kupat e Europës, ndërsa kërkon që të ruajë boshtin e ekipit: “Nëse ne do të marrim pjesë në Kupat e Europës, siç na është premtuar dhe që e meritojmë, unë dua që ta tuaj këtë skuadër, me këta djem, sepse bëhet një 3-vjeçar vizion që ne mund të dominojmë në volejbollin shqiptar. Ne do të grumbullohemi më herët dhe me të gjitha përpjekjet tona duke rimenaxhuar skuadrën të mos heqim dorë nga këta lojtarë”, deklaron trajneri, i cili në fund e mbyll duke përmendur një shembull konkret të besimit te suksesi: “Po marr shembull Raul Sabliqin, një nga lojtarët që afruam këtë sezon nga Shijaku, i cili erdhi, besoi në projektin tonë, u stërvit për këtë projekt dhe rezultati doli pozitiv”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i Partizanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"