“Nuk po ngutem të kthehem, ja e vërteta me Napolin”, Igli Tare ka lëvdata për trajnerët e rinj: Mos harroni Xhilardinon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2024 | 20:59

“Nuk po ngutem të kthehem, ja e vërteta me Napolin”, Igli Tare ka lëvdata për trajnerët e rinj: Mos harroni Xhilardinon

Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lacios, ka qenë një nga të ftuarit të mbrëmjes gala të futbollit “Adiscorp”. Dhe për mediat italiane, ishte një mundësi e mirë për t’i marrë një prononcim drejtuesit shqiptar, duke filluar nga fjalët e mira që kishte thënë Simone Inzagi në të njëjtin event për të.

igli tare

“Sa më kënaqën fjalët e Inzagit? Shumë, shumë. Është krenari edhe për ne sepse udhëtimi dhe  dhe rruga e tij janë gjithashtu rezultat i asaj që ai mësoi te Lacio në Romë. Jemi të gjithë të lumtur për titullin e tij, mendoj se është i pari i shumë të tillëve”, tha ai fillimisht.

E meritoi titullin?
Po, absolutisht. Ata janë skuadra më e mirë në kampionat, dominuan nga fillimi në fund.

Në çfarë është përmirësuar Inzagi së fundmi?
Finalja e humbur ishte ndërgjegjësimi që ka arritur një nivel të rëndësishëm. Gjithashtu ndihmoi mjedisi rreth tij që t’i hiqte peshën që kishte, sepse nuk iu kushtua shumë rëndësi rrugëtimit të tij, edhe pse ishte i lavdishme, me shumë trofe. Të kesh pak durim me raste shpërblehesh.

Si do ta shihnit Imobile me Inzagin te Interi?
Nuk vihet në dyshim cilësia e tij, ai mund të luajë kudo. Ai është një lojtar i rëndësishëm për Lacion dhe mendoj se do të jetë e vështirë t’ia shkëpusësh Lacios.

Sa pranë ishit me Napolin?
Nuk ka pasur asnjëherë qasje. Kanë qenë gjithmonë thashetheme të pabaza, nuk ka pasur kurrë kontakte reale.

Sa kohë mbetet deri sa ta shohim sërish në veprim?
Nuk e di, do të bëj gjëra që kanë kuptim për mua. Nuk po kërkoj të kthehem me nxitim, do ta bëj nëse gjej një vend ku ia vlen ta bëj.

Po kërkoni një projekt të paktën 2-3 vjeçar?
Absolutisht po, sepse edhe për të lënë diçka të rëndësishme, nevojitet projekti i duhur. Pa u nxituar, nevojitet projekti i duhur.

Tiago Mota, Italiano ose Paladino. Kush është rritur më shumë?
Tiago Mota sigurisht, por le të mos harrojmë Xhilardinon që bëri një punë të shkëlqyer me Xhenoan. Ne e mirëpresim këtë brez të ri trajnerësh, më pëlqen ideja e lojës ofensive.

A ju pëlqen De Rosi?
Shumë. Jo vetëm si trajner, por edhe si njeri. Unë e respektoj shumë, ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, ai do të ketë një karrierë të shkëlqyer sepse ka shumë karizëm.

A është Tiago Mota ideal për Juventusin?
Nuk e di nëse Juve po mendon për Tiago Motan. Tani është Alegri, nuk është korrekte të flasim për të tjerët ndërsa kampionati është duke u zhvilluar.

Çfarë përshtypje të ka lënë Tudor te Lacio?
Ai ka një stil loje sulmuese, rezultatet kanë arritur deri në një pikë të caktuar. Barazimi me Monzën e ndaloi pak ecurinë, por ai ka bërë një punë pozitive deri më tani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"