Spartak Braho: Prokuroria të hetojë raportin mjekësor të Tom Doshit, bashkëshortja e mjekut që e lëshoi punon tek ‘Profarma’

Mar 26, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho, njëkohësisht edhe deputet i LSI-së, deklaroi se prokuroria duhet të hetojë vërtetësinë e raportit mjekësor që Tom Doshi paraqiti në mbledhjen e fundit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet.

Spartak Braho ne Kryesine e Kuvendit

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, Braho tha se bashkëshortja e mjekut që ka lëshuar raportim mjekësor për Tom Doshin, punon tek ‘Profarma’. 

Braho aludoi se raporti mjekësori i Tom Doshit ishte i falsifikuar dhe kërkoi nga prokuroria të niste hetimet.  
Sipas tij, të tjera fakte do të publikohen në vijim lidhur me akuzat e Tom Doshit. 

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, deputeti Tom Doshi, nuk u paraqit, duke dorëzuar para kolegëve një raport mjekësor, sipas të cilit ai kishte pasur luhatje të forta tensioni. 

 

Deklaratë e plotë për mediat e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho:

Ndodhem për të biseduar me ju për të paraqitur një fakt tjetër rrëqethës i falsifikimit të ri të z. Tom Doshi. Fakti rrëqethës dhe që duhet të vlerësohet sa më shpejt nga Prokuroria është raporti i fundit i z. Tom Doshi dorëzuar Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, i cili është lëshuar nga mjeku Eduart Shota, i spitalit Privat Hygea. Ky është raporti mjekësor.

Çlidhje ka ky mjek me këtë çështje dhe siç do ta kuptoni shumë lehtë po ju sjellim faktin e mëposhtëm.

Mjeku Eduart Shota, siç rezulton nga certifikata e Gjendjes Civile është i martuar me znj. Aurela Shota. Kjo është edhe certifikata e Gjendjes Civile.

Sqarojmë se znj. Aurela Shota, siç rezulton nga dokumentet është punonjëse e Profarmës me detyrë nënpunëse e marrëdhënieve me publikun.

Pra me një fjalë, Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës, ashtu si video e Tomës me Tomën e Durim Bamit, ashtu si edhe dëshmia e Petrit Çinarit të sëmurë që po merrte për dhuratë një apartament nga z. Doshi. Ky është qarku dhe siç e shikoni është shumë i djegur.

Lëshimi i këtij raporti mjekësor është një tjetër fakt rrëqethës falsifikimi dhe sajese të cilën prokuroria ka detyrim ligjor t’i shkojë deri në fund duke zbërthyer këtë proces manipulimi që finalizohet përsëri me këtë raport mjekësor që Toma i lëshon vetes nëpërmjet Tomës, apo burrit të gruas punonjëse e Tomës. Fakte të tjera rrëqethëse do të keni më pas. Do takohemi përsëri. Ju faleminderit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura