Sot Ruçi mbledh Kryesinë e Grupit Parlamentar, mungon Rama

Aug 31, 2012 | 11:38
SHPËRNDAJE
Nga mbledhjet e Grupit të PS

Para Konferencës së Kryetarëve, kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, do të mbledhë Kryesinë e tij. Mbledhja e parë e Kryesisë së Grupit, pas pushimeve verore dhe para nisjes së sesionit të ri parlamentar, që starton të hënën, do të zhvillohet pa praninë e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Kryesocialisti, bashkë me sekretarin e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ndodhen në Kejptaun të Afrikës së Jugut, ku po zhvillon punimet Kongresi i 24-t i Internacionales Socialiste. Në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm, Ruçi do të përcaktojë me nënkryetarët e Grupit Parlamentar, me kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare, se çfarë qëndrimi do të mbajë PS ndaj çështjeve të nxehta, siç është ajo e kufizimit të imunitetit, apo dhe ligji për Gjykatën e Lartë, i cili kërkon edhe konsensusin e opozitës. Që në seancën e parë të sesionit të ri, pritet që kryetarja e Kuvendit të përfshijë në rendin e ditës të gjitha çështjet e mbetura të pavotuara nga seancat e fundit, ndërsa pritet që të nisë dhe zbatimi i Kodit të ri Zgjedhor. Brenda muajit shtator duhet të zgjidhet Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve, i përcaktuar sipas Kodit të ri Zgjedhor, të miratuar me konsensus nga palët. Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për tri javët në vijim, si dhe programin e komisioneve parlamentare. Por kryetema e punës së Parlamentit gjatë muajit shtator pritet të jetë çështja e kufizimit të imuniteteve, për shkak se miratimi ose jo i tij do të përcaktojë dhe progres-raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, që do të vendosë dhe fatin e statusit të vendit kandidat për në BE. Por deputetët e opozitës, nisur nga akuzat e vazhdueshme në adresë të qeverisë, do të kërkojnë interpelancë ndoshta dhe komisionin hetimor për ministrin e Mbrojtjes, Imami, për përgjimet e deputetëve dhe diplomatëve, por dhe tregtinë e armëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura