Sonte nis festa e madhe e “Birra Korça”, qyteti mirëpret mijëra turistë

Aug 8, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Festa e “Birra Korça” këtë vit shënon vitin e 12-të, ndërsa vazhdon të rritet dhe të marrë dimensione të paparashikueshme. Kjo festë, e cila identifikohet me birrën e këtij qyteti, tashmë ka marrë edhe ekskluzivitetin e eventit më të madh veror në vend. Ashtu si çdo vit, kjo festë parashikohet të ketë rekord pjesëmarrësish jo vetëm nga vendi, por të ardhur enkas nga shtete të ndryshme të botës.

Turistë me “Birra Korça” në festën e vitit të kaluar
Turistë me “Birra Korça” në festën e vitit të kaluar

Dhe mbretëresha e 5 netëve do të jetë birra që identifikohet me qytetin, “Birra Korça”. Festa është vendosur të zhvillohet në dy pole të qytetit, te sheshi para stadiumit “Skënderbeu” dhe në Pazarin e vjetër, duke sjellë edhe alternativa zgjedhjeje për të gjithë ata që do të bëhen pjesë e eventit.

Këtë vit, “Birra Korça” do të jetë pranë çdo konsumatori në të dy polet për t’ua bërë më të bukura mbrëmjet. Ajo do të pozicionohet në 13 stenda te sheshi para stadiumit e po kështu do të serviret edhe për ata që zgjedhin të shkojnë te Pazari i Korçës. Çdo pjesëmarrës i festës dhe shijues i birrës do të mund të gjejë birrën prestigjioze, e cila e mban emrin e saj lart falë cilësisë së padiskutueshme.

birra1

Pas vitesh të tëra që operon në treg, “Birra Korça”, e cila është lidere e klasifikimit dhe preferenca e çdo konsumatori, do të rrisë adrenalinën e 5 mbrëmjeve festive ku shijohet birrë, konsumohen gatime tradicionale dhe ofrohet një program i përzgjedhur muzikor. Pak orë para se festa të nisë, organizatorët janë duke kuruar detajet e fundit, ndërsa vetë “Birra Korça” është kujdesur që të garantojë kënaqësinë maksimale.

Në fabrikën e “Birra Korça”, gjigantit teknologjik, kanë nisur përgatitjet prej ditësh. Sakaq, birra, serenatat dhe kërnackat nuk do të ndalen edhe te restoranti i “Birra Korça”. Sot festa do të nisë rreth orës 20:00.

birra2

Surprizë për këtë vit do të jetë koncepti ndryshe i festës, e cila do të pushtojë çdo cep të qytetit për orë të tëra. Festa çdo mbrëmje do të zhvillohet te sheshi para stadiumit e paralelisht edhe te Pazari i Vjetër i Korçës, ndërsa gjatë ditës nuk do të mungojnë ofertat dhe menytë në zonën këmbësore. Me një program të zgjedhur muzikor për të kënaqur preferencat e të gjithëve, natës së parë nuk do t’i mungojnë as emrat më në zë të muzikës vendëse dhe të huaj.

Alban Skënderaj, Urban Band, Grupi NA, Marsela Çibukaj, serenatë nga Zhuli Sheremeni dhe Urban Band do të ndezin natën e parë të festës. Ndërkaq, në netët në vijim, këngëtarë të tjerë me emër dhe mjaft të dashur për publikun do të performojnë me orë të tëra. Festa do të kulmojë deri të dielën, në natën e fundit të saj.

birra3

Që dje, Korça ishte mbushur me turistë dhe pritet të marrë “Check in” nga mbi 100 mijë pjesëmarrës. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, në një konferencë të mbajtur për këtë event, u shpreh mjaft entuziast, teksa parashikoi pjesëmarrje rekord.

“Festa e Birrës është një prej eventeve më të mëdha. Është viti i 12-të dhe kjo festë ka ardhur duke u konsoliduar. Festa organizohet në dy vende dhe është një event mjaft i rëndësishëm, i cili i shërben profilit turistik që ka ndërtuar qyteti i Korçës. Do të ketë këngëtarë vendës, por edhe të huaj dhe një superatmosferë”, u shpreh kryebashkiaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura