Silvana Skënderi: Si ia del i vetëm një pianist shqiptar, pa një agjent artistik

Oct 13, 2014 | 14:35
SHPËRNDAJE

Stina koncertore e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar ngjiti në sallën e Universitetit të Arteve vepra të kompozitorëve Vasil Tole, Kostas Kydoniatis dhe Camille Saint Saëns. Prej këtij të fundit u luajt koncert për piano dhe orkestër, No. 2. sol minor, Op. 22, nën dirigjimin e George Chlitsios, me soliste në piano Silvana Skënderin. Pianistja tregon gjithë ç’i duhet një instrumentisti për të mbërritur deri këtu. Përvojat e para në piano që në moshën 6-vjeçare, luhatjet e herëpashershme, e në fund, sërish koncerte…

Në një errësirë të mbyllur, ku luhet muzikë dhome, shumica ikin. Jo, nuk boshatisin sallën, por largohen mendërisht. Nuk është që shijimi i cilësdo formë të artit ka formula, ama muzika, sikur të zhvendos. Fjala vjen, nuk mund të reagosh njësoj përpara një skulpture a pikture përpara së cilës je i vetëdijshëm për distancën që duhet të mbash. Muzikën nuk e komandon dot se deri në ç’masë duhet të të arrijë, sa duhet të qëndrojë e kur duhet të ikë. Mund të jetë me ty edhe pasi të gjithë janë larguar, bashkë me ty… Nëse i shkakton këto, instrumentisti, pa dyshim që duhet të jetë i lumtur, veçse, mënjanon pak veten nga i gjithë procesi. Në kuptimin që, janë

Pianistja Silvana Skënderi, dy ditë më parë, gjatë koncertit në sallën e Akademisë së Arteve.
vetëm gishtat e tij, ndërsa ai vetë, rrallëherë është i njohur masivisht. Po, muzika instrumentale ka ndjekës më të pakët në numër, por edhe ata në sallë, largohen si në hamendjet më sipër. Sidoqoftë, muzikantit, këtij të vërtetit, mundet që e gjithë kjo as i duhet fare sepse as ai vetë mund të mos jetë “aty”. Pianistja Silvana Skënderi duartrokitet pas çdo koncerti, kështu që, efektin, muzika e saj, e bën. Po nëse në një sallë të madhe sytë nuk mund të shkojnë te të gjithë, në një dhomë dimri, gjendja është e mundur të “kontrollohet”. I ndodh sa herë që miqtë ta ngrenë nga tryeza për t’i kërkuar të luajë për ta. Qoftë një pjesë të vogël… mbrëmja do t’i bëhej kujtdo më e bukur.
Sot, pedagogen e pianos në Akademinë e Arteve, nuk e shkëputëm nga provat e përditshme vetëm për ta pyetur se sa shpesh luan për miqtë. Ajo është në prag të një koncerti si soliste për të luajtur pjesë nga kompozitori francez i periudhës romantike, Camille Saint-Saëns. Silvana natyrisht që e luan me kënaqësi muzikën e tij edhe pse, për të përgatitur këtë koncert, pati shumë pak kohë në dispozicion…
Sa kohë paraprake i duhet një muzikanti, në rastin tuaj një pianisti, për të përgatitur një koncert. Ju thoni dy muaj janë shumë pak ndërsa tingëllojnë mjaftueshëm…
Varet nga pjesët dhe koha që i kushton, por sidoqoftë ngelet një kohë e shkurtër. Duhet shumë më tepër. Ky koncert u planifikua në fund të muajit korrik dhe qysh atëherë ka nisur menjëherë puna. Uroj që gjithçka të jetë mirë sado që për koncerte të tjera mund të duhen 4 apo 5 muaj.
Ndërsa, pa pasur programe koncerti, sa kohë qëndroni mbi piano?
Gjatë koncertit
Instrumentisti është mirë të ushtrohet përditë për tre deri në pesë orë, ka apo nuk ka koncert. Është një proces i ngjashëm me stërvitjen që duhet të bësh nëse merresh me sport.
Keni jetuar me këtë ritëm…që kur? Pra, sa vjeçe ishit kur nisët pianon?
Kam qenë gjashtë vjeçe. Natyrisht që atë kohë nuk mund të impenjohesha kaq sepse ishte edhe pjesa tjetër e studimeve. Për më tepër, kur u nis, askush nuk e dinte që më pas unë do ta ktheja në profesion. Prindërit më futën në piano vetëm për të plotësuar njohuritë dhe formimin tim. Pastaj, rrugës, pasioni triumfoi. Ata më pyetën në përfundim të shkollimit tetëvjeçar nëse doja apo jo t’i kushtohesha më gjatë. Ndodhi kështu që zgjodha Liceun Artistik e më pas Akademinë e Arteve.
Ende fëmijë, nuk ju lodhte kjo ngarkesë dite… për një fëmijë, t’i kushtohet kaq shumë instrumentit, nuk duhet të jetë e lehtë…
Nuk ka qenë, patjetër. Këtë mund ta thonë të gjithë ata që kanë braktisur të gjitha dhe vetëm kanë studiuar. Veçse, kur je fëmijë, apo edhe pak më i rritur, por nuk e ke njohur ende botën, je gjithnjë i shoqëruar nga pasioni. Po nuk e pate shoqërues, nuk mund të bësh shumë sado të sforcohesh. Kjo që thoni ju, dëshira për t’u dorëzuar pra, mund të ndodh në një fazë tjetër, të mëvonshme. Atëherë kur te pasioni, ndikon ndjeshëm edhe arsyeja. Për shembull, ka pasur kohë që ti i thua vetes se për çfarë më vlejti kjo sakrificë, ku po më çon!? Kuptoni që kur unë kam përfunduar studimet e larta ka qenë një periudhë tranzitore, pas viteve ’90, mund të gjendeshe në rrugë pavarësisht asaj që kishe dhënë deri atë kohë. Vëmendja ndaj artit ishte thuajse e pandjeshme.
Megjithatë nuk paskan fituar, në rastin tuaj, lëkundjet e kohërave…
Jo, edhe sepse isha me fat që nisa të punoja në Teatrin e Operës, thuajse menjëherë pas diplomimit. Ajo ishte një periudhë 5-vjeçare që konsiderohet gjithashtu shkollë e dytë, e cila më dha edhe titullin “Koncert Maestër”. Ke mundësi të punosh me dirigjentë të ndryshëm, të jesh gjithnjë në skenë, opera është fusha më e mirë e stërvitjes.  
Sidoqoftë, ju nuk u shkëputët nga skena as pas 5-vjeçarit apo jo?
Jo, nuk jam shkëputur. Nisa një fazë tjetër, atë të mësimdhënies në Akademi, por i ruajta marrëdhëniet me skenën. Mungesa e agjentëve artistikë, këtu te ne e vështirëson procesin, por nëpërmjet njohjeve individualeve, kontakteve me njerëz, do arrish t’i bësh gjërat vetë, ndryshe…
Edhe pse ju ma thatë disa herë, nuk e rrok kollaj mendimin e të luajturit përditë, 4-5 orë në piano. Mbase është njësoj si të shkruash 5 orë por, të paktën, a e përzgjidhni ju, programin me të cilin ushtroheni, apo… Pra, a vlen njësoj, të luash kompozitorin që të pëlqen? Gjithnjë jashtë një programi të përcaktuar…
Je gjithnjë i varur nga ky i fundit. Duhet studiuar tematika, programi, nuk i shpëton dot. Dakord, ti mund të luash, por nuk i largohesh dot krejt planit të radhës.
Në fakt, me pyetjen doja të dija gjithashtu,a ka instrumentisti pjesët e tij të preferuara. Ato që i vijnë vetë në kokë, për shembull, kur miqtë në një darkë i kërkojnë të luajë për ta…
Kjo ndodh gjithnjë, ndodh kudo, mjafton të ketë një piano dhe nuk i shmangesh dot. Ndodh në ndonjë shtëpi ku je i ftuar, në restorante… Në këto raste çlirohesh nga presioni i programit, zgjedh vetë. Unë pëlqej Chopin, e luaj me kënaqësi, pëlqej kompozitorin francez Debussy, por pëlqej të luaj edhe pjesë shqiptare sidomos kur rasti ka dashur të mblidhesh me miq të huaj. Kjo është një mënyrë për t’i prezantuar me vlerat e muzikës sonë, me themeluesit e shkollës sonë të muzikës.
Saint-Sawns, e pëlqeni?
E luaj me dëshirë, po. Është ndër të pëlqyerit e mi. Veprat e tij janë mjaft profesionale, aq sa është quajtur “më gjermani” ndër kompozitorët francezë. Ka kompozuar gjatë karrierës së tij mbi 300 vepra muzikore, nga të cilat 13 opera.
Na tregoni disa nga përvojat tuaja të skenës…
Kanë qenë të ndryshme, si brenda dhe jashtë vendit. Mund t’ju përmend duon me violonçelistin e parë të Orkestrës së Operës së Pragës, me klarinetën e parë të Orkestrës së Katalunës, koncert recital me këngëtarë shqiptarë të shquar në botë si Josif Gjipali, Sokolin Asllani etj. Pastaj koncerte recitale në qytete të ndryshme të Italisë, Greqisë, Zagreb etj.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura