Siguria e Europës apo e Shqipërisë?

Nov 7, 2019 | 10:40
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Gjatë një konference me tematikë sigurinë kibernetike, Kryetari i Parlamentit Shqiptar deklaroi se: “Europa nuk është e sigurt me Ballkanin jashtë Bashkimit Europian”. Konstatim i njohur. Të gjithë e dinë. Edhe Komisioni Europian. Po ashtu, të gjitha vendet europiane.

Edhe si truk politik, nuk është gjë tjetër, veçse një mënyrë “kërcënimi”, gjithashtu e mirënjohur si teza tjetër e boshllëkut të krijuar nga Bashkimi Europian në rajon, që rrezikon të mbushet nga fuqi të tjera si Rusia, Kina apo Turqia. Pa folur për deklarimin tjetër publik me përmasa legjendare, se moshapja e negociateve me Shqipërinë ishte humbje për Francën dhe jo për Shqipërinë.

Deklarime të tilla me fjalë “kërcënuese” për Europën tingëllojnë si vringëllima konceptesh politike, me thelb luftën e ftohtë të shërbyer në formën e një doktrine bashkëkohore. Madje, të shprehura në përmasa banaliteti të tilla, ato duken më tepër të drejtuara për konsum në tregun e brendshëm publik sesa atë ndërkombëtar. Por, edhe këtu, me shumë pak gjasa mund të zërë vend.

Si reagim i parë, instinktivisht në mënyrë folklorike të vjen të adresosh pyetjen: Po këta, kanë hallin e Europës, të Francës apo atë të Shqipërisë që flasin kështu? Sepse, në rast se do ta përkthenim atë që thotë Kryeparlamentari në terma institucionalë, do të rezultonte të ishte e kundërta. Është vendi ynë ai që është më pak, ose më saktë, shumë më pak i sigurt jashtë Bashkimit Europian. Është siguria europiane ajo që ndikon mbi atë të vendit tonë dhe jo e kundërta.

Kjo retorikë thuajse kuturu dëshmon një politikëbërje, që nuk ka si busull orientimi argumentime të bazuara mbi realitete konkrete si të vendit tonë dhe të vendeve të hapësirës europiane në ndërtimin, funksionimin, bashkëpunimin e institucioneve kombëtare e komunitare të sigurisë.

Bashkimi Europian në tërësi dhe vendet e tij përbërëse, secili në mënyrë të pavarur, janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që u vijnë nga vendet e rajonit tonë e më gjerë dhe i kanë të ngritura institucionet korresponduese. I zhvillojnë ato duke u përshtatur në raport me përmasat e kërcënimit.

Mjafton të konsultohesh me Strategjitë e Mbrojtjes Kombëtare të disa vendeve të rëndësishme europiane dhe do të evidentosh me lehtësi të shkruar të zezë mbi të bardhë rrezikun që këto vende ndiejnë nga rajone ku shteti ligjor është i dobët, ku demokracia është hibride, ku ka vështirësi në kontrollin e territorit dhe të kufijve. Për të vazhduar pastaj me probleme të tjera të qeverisjes, ku kryefjala mbetet korrupsioni dhe institucione të korruptuara. Me këto të dhëna paraqiten edhe vendet e rajonit tonë. Përse vendi ynë e ka më të vështirë parandalimin e kërcënimit që i vjen nga Europa? E për rrjedhim, të jetë më pak i sigurt?

Sepse ndërtimi i një hapësire gjigante qarkullimi të lirë njerëzish dhe mallrash me popullsi prej 700 milionë banorësh, siç është hapësira europiane, fqinje me vendin tonë, natyrshëm do të ecte dhe ka ecur paralelisht me ndërtimin e institucioneve të sigurisë për të parandaluar kërcënimet nga jashtë, përfshi edhe rajonin tonë.

Në thelb, siguria europiane e mbështetur mbi dy shtyllat me karakter komunitar, EUROPOL dhe FRONTEX, e ka të njësuar gjuhën e përgjigjes që i japin vendet anëtare kërcënimit kriminal me prejardhje nga jashtë. Pra, trajtimi i kriminalitetit brenda hapësirës bazohet mbi institucione kombëtare të mbështetura dhe koordinuara nga ato komunitare, duke harmonizuar edhe legjislacionin penal. Gjuha e këtyre institucioneve nuk është e njëjtë me atë të vendeve jashtë komunitetit. Edhe bashkëpunimi në këtë kontekst është heraherës i pamundur.

Gjurmët e gishtave të një shqiptari që kryen krimet në Spanjë, mund t’i përdorë në kohë reale edhe Danimarka. Kurse vendi ynë nuk e ka këtë mundësi as për shtetasit e tij, përveçse nëpërmjet një letërporosie.

Për këtë arsye nuk janë të paktë politikanët dhe të zgjedhurit vendorë në vendin tonë, të cilët, në vendet e Bashkimit Europian, janë thjesht kriminelë të rëndomtë, kurse këtu të zgjedhurit e popullit. Nuk besoj se ka shembull më të qartë se ky për të kuptuar se cili është më pak i sigurt. Vendi ynë apo Europa?

Ndërkohë, zgjidhjet institucionale të përqafuara nga organet kompetente të hapësirës europiane në raport me sigurinë e tyre nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë. Ato i përshtaten llojit dhe intensitetit të kërcënimit nga vjen.

Mbarë opinioni ynë e njeh tashmë faktin e pranisë së forcave të FRONTEX-it në kufijtë tanë jugorë. Ky është një hap i ri në përputhje me realitete të rritura të kërcënimit. Pra, organi kompetent i sigurisë kufitare të Bashkimit Europian e vlerësoi rrezikun e shtuar që i vjen nga vendi ynë dhe i parapriu me masa konkrete të reja nga brenda territorit të tij. Ai nuk priti sa t’ia thoshte Kryeparlamentari ynë në konferencë. Në rastin konkret, Europa ia krijoi mundësitë ligjore vetes që ta organizojë sigurinë e saj edhe nga brenda territorit të një vendi nga vjen kërcënimi dhe që nuk është pjesë e saj. Ndërkohë, organet tona nuk kanë mundësi të kenë aktet e duhura ligjore për ta zgjidhur këtë problem ligjërisht me shtetin grek.

Po ashtu, organi tjetër i Bashkimi Europian, EUROPOL, është familjarizuar tashmë me rrezikshmërinë e krimit të organizuar me vulë shqiptare, ndaj edhe ndërmori hapa të tjerë ligjorë, duke sjellë përfaqësuesin e tij në vendin tonë. Hap i parë ky, me vende jashtë territorit të Bashkimit Europian, pavarësisht se propaganda jonë këndon himne fitoresh në raste të tilla.

Mjaftojnë këta dy shembuj për të kuptuar se Bashkimi Europian ka fuqi që të organizojë sigurinë e hapësirës europiane edhe duke dislokuar forcat e tij policore brenda territorit të vendeve prej nga vjen rreziku dhe që janë në kufi me të. Pra, nuk pret sa të futet Shqipëria në BE dhe të rrisë sigurinë e tij.

Ndërkohë, lind një pyetje në kah të kundërt. I ka vendi ynë instrumentet e duhura për të parandaluar dhe goditur kërcënimet që i vijnë sigurisë së tij nga veprimtaria kriminale e shtetasve shqiptarë me banim apo të natyralizuar në vende të ndryshme të hapësirës europiane?

Konkretisht, bëhet fjalë për konfiskim pasurish me prejardhje kriminale të disa shtetasve shqiptarë të arrestuar në Danimarkë apo Greqi, për trafik ndërkombëtar droge. Gjithçka u bë e mundur mbi bazën e ligjit të quajtur antimafia, të hartuar dekada më parë. Kanë mundësi organet tona të sigurisë për të përsosur aftësinë e tyre goditëse në këtë fushë? Aspak. Sepse sekuestrimi i aseteve të ardhura nga veprimtari kriminale të zhvilluara në vendet europiane varet thjesht nga vullneti i tyre i mirë apo interesi për t’u dërguar letërporosi organeve tona. Në rast se nuk kanë interes, ato nuk e njoftojnë rastin dhe këtu gjithçka ngelet e panjohur.

Bashkëpunim është çështje vullneti dhe jo kërkesë ligjore. Pra, cili është më pak i sigurt? Vendi ynë apo Europa? Do të ishte më e udhës që integrimin në Bashkimin Europian lidershipi ynë politik qeverisës ta shihte si rritje të sigurisë së vendit dhe jo si rrezik për pasigurinë e Europës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura