Si u fsheh tre muaj urdhri-arresti belg për Frrokun

Apr 1, 2015 | 16:16
SHPËRNDAJE

Urdhri i arrestit i Interpolit të Brukselit për akuzën e vrasjes ndaj deputetit shqiptar Mark Frroku është mbajtur pa u zbatuar nga Shqipëria që prej datës 8 janar 2015 deri më 27 mars të këtij viti.

Mark Frroku/ Artan Didi

“Panorama” shkruan sot se vetëm një ditë pas arrestimit të deputetit Frroku me akuzën e “dëshmisë së rreme”, zyra e Interpol Tirana ia ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë urdhrin e kërkimit për të dyshuarin.

Për rreth tre muaj dy shkresa të Interpolit belg janë mbajtur në sirtarët e Interpol Tiranës pa u bërë asnjë procedurë për ndjekjen apo për zbatimin e tyre. Më 8 janar 2015, Interpoli belg kishte përcjellë urdhrin ndërkombëtar të arrestit për deputetin Mark Frroku, i dyshuar për vrasje në Belgjikë në vitin 1999.

Pasi Shqipëria nuk i është përgjigjur njoftimit të parë, zyra e Interpol Brukselit ka nisur një informacion të dytë më të zgjeruar në datën 23 janar 2015, por përsëri nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Nuk është ende e qartë në çfarë rrethanash ka ndodhur që raportet e ardhura nga Interpoli belg, zyra e Shqipërisë i ka arkivuar pa i pasqyruar në sistem dhe pa kryer asnjë veprim verifikues në lidhje me akuzat për vrasje ndaj deputetit shqiptar Mark Frroku.

Për shkak të këtij skandali, Prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtorit të Interpol Tirana Artan Bajraktari dhe specialistes së kësaj zyre, shtetases Loreta Alla.

Ata akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”, pasi me mosveprimet e tyre kanë penguar ekzekutimin e urdhrit të arrestit ndaj deputetit shqiptar që akuzohet se ka kryer vrasje në shtetin belg në vitin 1999. Dy ishzyrtarët e Interpolit pritet të dalin sot para Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura