Si ta përballojmë izolimin në shtëpi nga koronavirusi, psikologia: Nuk jeni me pushime, niseni duke bërë një program, por me rëndësi është që…

Mar 24, 2020 | 21:20
SHPËRNDAJE

Ada Hazizolli/ Në kushtet kur nuk ka një vaksinë për ta parandaluar, apo një ilaç për trajtimin e koronavirusit,  e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur prej tij është distancimi social.

psikologuia

Por izolimi brenda mureve të shtëpisë, sipas psikologes Lediona Braho mund të shoqërohet me përjetime negative, siç janë stresi, trishtimi apo pasiguria.

Studimet që janë kryer për të hulumtuar efektet psikologjike të karantinës kanë gjetur se njerëzit e karantinuar kanë përjetuar stres, trishtim, zemërim, pasiguri dhe emocione negative, të cilat ishin në raport të drejtë me kohëzgjatjen e karantinës, frikën e infektimit nga sëmundja, stigmën, mungesën e furnizimeve, humbjet financiare dhe informacionet e papërshtatshme”.

Kjo gjendje mund të transmetohet edhe tek fëmijët, ndaj edhe me rëndësi sipas psikologes  është ruajtja e një rutine sa më shumë të ngjashme me rutinën e mëparshme.

Në këtë rutinë, duhen përfshirë aktivitete pune/mësimore, punë shtëpie, aktivitete argëtuese dhe pushim. Gjatë qëndrimit në karantinë, duhet të përpiqemi të ushqehemi shëndetshëm (dieta e ekuilibruar), të flemë mjaftueshëm dhe mirë (gjumi cilësor) dhe të bëjmë ushtrime fizike në kushtet e shtëpisë”.

Situata e krijuar nga koronavirusi dhe masat e ndërmarre ka bërë që prej gati dy javësh  të  gjithë jemi të ngujuar në shtëpi. Çfarë pasojash mund të sjelle kjo aq më tepër kur jemi në kushtet që nuk dihet sesa do të zgjasë?

Karantina është një nga masat e shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive. Kjo masë zbatohet duke përdorur izolimin dhe distancimin social. E përdorur që në shekullin e XII kur shpërtheu lebroza, karantina po përdoret sot për sto në shumë vende të botës, përfshirë vendin tonë, për të frenuar përhapjen e sëmundjes infektive COVID19. Nga autoritetet, na është bërë e qartë dobia e karantinës ose e qëndrimit në shtëpi. Të jetosh në karantinë do të thotë të jesh i ndarë nga njerëzit e dashur, të qëndrosh i mbyllur në shtëpi, të dalësh me orar të kufizuar ose të mos dalësh fare, të punosh nga shtëpia, etj. Studimet që janë kryer për të hulumtuar efektet psikologjike të karantinës kanë gjetur se njerëzit e karantinuar kanë përjetuar stres, trishtim, zemërim, pasiguri dhe emocione negative, të cilat ishin në raport të drejtë me kohëzgjatjen e karantinës, frikën e infektimit nga sëmundja, stigmën, mungesën e furnizimeve, humbjet financiare dhe informacionet e papërshtatshme. Madje, efektet e karantinës mund të jenë afatgjata: të shfaqen disa javë apo muaj pas përfundimit të periudhës së karantinës.

Po te fëmijët, si e përjetojnë ata qëndrimin në shtëpi?

Qëndrimi në karantinë ka efekte për të rriturit, por edhe fëmijët. Këta të fundit ndikohen nga prindërit e tyre ose të rriturit e rëndësishëm. Nëse të rriturit e përjetojnë karantinën me stres dhe emocione negative, pasiguri, frikë, ankth dhe shqetësim, këto reagime do të reflektohen edhe te fëmijët. Emocionet janë “ngjitëse”, ndaj në këtë pikë, dua t’ju bëj thirrje prindërve që të bëjnë shumë përpjekje për t’u treguar të kujdesshëm. Nëse fëmija ju sheh të shqetësuar, edhe ai do të shqetësohet. Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve tuaj, të cilët janë edhe më vulnerabël (të riskuar emocionalisht) sesa ju, mirë është të qëndroni sa më të qetë me ta, të bisedoni për situatën dhe t’i qetësoni duke iu thënë herë pas here se ju po bëni çmos që situata të përmirësohet (“Po rrimë në shtëpi, po ndjekim rregullat që na kanë këshilluar mjekët dhe po mbrojmë familjen tonë dhe njerëzit e tjerë që të mos infektohen”). Gjuha duhet të jetë sa më e thjeshtë dhe në përputhje me moshën e fëmijëve.

Si mund ta përballojmë më mirë izolimin në shtëpi?

Vërtet që qëndrimi në karantinë mund të shoqërohet me përjetime negative, por ka disa mënyra për ta përballuar më mirë atë. Shumë ekspertë botërorë këshillojnë që gjatë karantinimit, individët dhe familjet duhet të bëjnë një program ditor. Ditët e qëndrimit në karantinë nuk janë ditë pushimi. Njerëzit mund të punojnë nga shtëpia, fëmijët po mësojnë online. Pra, të gjithë mund të jenë të angazhuar në forma të ndryshme. Ndaj, me shumë rëndësi,  për shëndetin sidomos atë mendor është ruajtja e një rutine sa më shumë të ngjashme me rutinën e mëparshme. Në këtë rutinë, duhen përfshirë aktivitete pune/mësimore, punë shtëpie, aktivitete argëtuese dhe pushim. Gjatë qëndrimit në karantinë, duhet të përpiqemi të ushqehemi shëndetshëm (dieta e ekuilibruar), të flemë mjaftueshëm dhe mirë (gjumi cilësor) dhe të bëjmë ushtrime fizike në kushtet e shtëpisë. Një faktor mbrojtës gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpi është ruajtja e kontakteve shoqërore: njerëz të familjes që jetojnë larg, miq e kolegë, etj. Komunikimi i vazhdueshëm me ta, shkëmbimi i ndjenjave dhe përjetimeve të momentit, ofrimi i mbështetjes por edhe kërkimi i saj – të gjithë këta faktorë kanë treguar se mund ta mbrojnë emocionalisht njeriun gjatë një përvoje karantinimi apo distancimi social.

Patjetër, njerëzit janë të ndryshëm në karakteristikat e tyre, ndaj përvojat e tyre janë të ndryshme e po ashtu, edhe mënyrat e tyre të përballimit. Në përgjithësi, ata që mund ta përballojnë më mirë përvojën e qëndrimit në shtëpi dhe të përjetojnë më pak stres janë njerëzit që kanë burime të shumta të brendshme (forca personale, strategji të shëndetshme përballimi ndaj stresit, përvoja të mëparshme pozitive, etj.) por edhe burime të jashtme të shumta (lidhjet me të tjerët, siguri financiare, jetesa në një komunitet mbështetës, etj.). Personat me shëndet të mirë fizik dhe mendor dhe me burime të shumta në dispozicion janë ata që pritet ta përballojnë më mirë këtë përvojë, krahasimisht me ata që mund të kenë mungesë burimesh dhe probleme shëndetësore apo të shëndetit mendor.

Nisur nga këto rrethana, çfarë do të këshillonit ju?

Le të fokusohemi te aspektet pozitive të kësaj përvoje: te qëndrimi në shtëpi, te lidhja me familjen, te bërja e gjërave së bashku, te qëndrimi me veten, te çlodhja, te mbrojtja e vetes dhe e të tjerëve aty jashtë! Tani më shumë se kurrë na duhet të jemi altruistë dhe të mendojmë për fqinjin si për veten tonë. Informohuni mirë, zbatoni rregullat, qëndroni bashkë, qëndroni në shtëpi, kujdesuni për njëri-tjetrin sidomos për gjyshërit dhe ata më në nevojë. Siguroni ushqimin tuaj dhe nëse nuk keni mjaftueshëm, kërkoni ndihmë pa frikë e turp!  Ju që mund të ndihmoni ata që nuk kanë, ndihmojini dhe besoni se do t’ju shpërblehet. Kushdo mund të bëjë më të mirën në këto ditë të vështira. Edhe dikush që ndjen se nuk mund të bëjë më shumë, në fakt, mund të bëjë diçka me rëndësi të madhe: të rrijë në shtëpi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura