“Si i selektoj këngëtarët”- Flori Mumajesi hap veten nga maja e suksesit: Që kur nisa të mos punoja me këdo, filluan problemet

May 29, 2021 | 13:14
SHPËRNDAJE

Ashtu si kënga që shkroi për Aurela Gaçen “Hape veten”, kantautori i njohur Flori Mumajesi ka hapur veten si rrallëherë gjatë një bisede live me ndjekësit në “Instagram”.

Pas natës së parë gjysmëfinale të “Kënga Magjike”, së bashku me Brunon, Klajdi Harunin, Fifin dhe talentin e ri nga Kosova, Kras, Flori mes pyetjeve dhe përgjigjeve ka zbuluar disa detaje nga jeta e tij në industrinë e muzikës.

Në live, ku kishin vendosur t’i bënin pyetje njëri-tjetrit, Flori theksoi që në fillim të bisedës se do të kishte edhe pyetje personale.

“Ke pasur shumë bërryla në karrierë. Cilën periudhë ke pasur më të vështirë para se të bëheshe i njohur apo pas, dhe cila periudhë të ka shijuar më shumë?”, ishte kjo pyetja që i bëri Fifi e që Flori iu përgjigj: “Periudha para se të bëhesh i njohur është për këdo e vështirë. Ke apo s’ke talent, ke apo s’ke mundësi, ke apo s’ke vullnet. E sado t’i kesh mundësitë edhe paratë t’i kesh, prapë do ta kesh të vështirë në fillm. Ka nga ata që u bie bingo, por prapë fillimi është i vështirë. Pastaj fillon fiton vetëbesim dhe kërkon më shumë, pra, bashkë me suksesin që prodhon e përfaqëson të hapet oreksi të dëshmosh krijimet e tua dhe pastaj vjen puna. Unë qëllim timin kam pasur të punoj pas skenës, jo si këngëtar, pavarësisht pjesës së daljes me ‘The dreams’. Vdisja të bëja producentin, pasi kjo ka qenë ambicia ime e vërtetë”.

E ndërkohë që aktualisht është krijuesi në majë, që këngëtarët synojnë të kenë një këngë prej tij, Flori hodhi dritë më shumë për marrëdhëniet me këngëtarët në fillimet e karrierës.

“Kam pasur këngë shumë të mira dhe këngëtarët s’m’i merrnin. Shumë këngë që këndohen sot kanë qenë të krijuara për x këngëtar atëherë. Ka qenë e vështirë për mua kur ofroja materiale të mira e që s’m’i merrnin dhe me kalimin e kohës u bë e vështirë për ata që për këtë arsye, të kenë sot ndonjë peng të vogël. Por unë jam nga ata tipa që s’mbaj inat gjatë, kështu u kam riprodhuar këngë të re dhe ua kam dëshmuar kështu bashkëpunimin që të çon në sukses. Kjo vazhdoi deri kur fillova të selektoja që të mos punoja me këdo dhe aty filluan problemet”, tha ai.

Nisur nga karriera e gjatë me shumë e shumë këngë që mbajnë firmën e tij, ai pohoi se “me vite pune tani do të isha në pension. E nëse do të kisha vetëm dy mundësi të isha këngëtar apo krijues-producent, do zgjidhja të dytën”.

Biseda u përqendrua dhe te votimet mes kolegëve, për të cilat ai tha se e ka shijuar shumë duetin me Klajdi Harunin dhe se nuk ka asnjë kompleks edhe nëse nuk votohet apo nuk kalon në finale, pasi kënaqësinë e interpretimit e ka marrë dhe kjo është më e rëndësishmja për artistin.

Kujtojmë që Flori Mumajesi këtë edicion të “Kënga Magjike” merr pjesë me një duet me Klajdi Harunin, me këngën me titull “E para”. Flori Mumajesi, këngëtar, kompozitor, arranzhues, tekstshkrues dhe producent. Ai ka përfaqësuar Shqipërinë në “Balkan Music Awards”, është shpallur personazh i vitit 2018.

Në festivalin “Kënga Magjike 2018” fiton çmimin e madh me këngën “Plas” dhe aktualisht është kompozitor i këngës fituese ende në fuqi, ishte prezantimi që iu bë në këtë garë nëpërmjet zbërthimit të identiktit artistik.

Pyetjes së Ardit Gjebreas se: “Më në fund në një duet bashkë në ‘Kënga Magjike’, si ju erdhi frymëzimi për këtë këngë?”, Flori Mumajesi iu përgjigj: “Arsyeja pse kemi marrë pjesë është një gjë shumë personale e Klajdit, e imja, e jona, e përbashkët. Është edhe një mesazh që mund ta përçojnë artistët në këto kohë të vështira. Për të pasur një kujtim ne të dy bashkë, për t’u thënë njerëzve motivohuni dhe mos u dorëzoni!”.

Sa për pjesëmarrjen ndër vite në “Kënga Magjike”, ku kujtohen shumë hite, Flori tha: “Unë ‘Kënga Magjike’ e ndiej si copë të mishit, është festival ku kam 20 vite që kam marrë pjesë edhe si krijues, edhe si këngëtar. Është pjesë e historisë, muzikës që kam krijuar e kam bërë. Është një nga ato pak skena që mua më japin emocion, më rreh zemra fort. Është shumë e lidhur me mua, nuk ka lidhje as me 3 muaj, as me 3 ditë, as me 3 vite, është diku te 20 e ca vite. Emocion, dashuri”.

Rikthimi i tij në “Kënga Magjike” si debutues dhe producent, erdhi pas rikthimit me zë e figurë në duetin me Taynën. Ata u bënë bashkë për duetin me titull “Magdalena”, kënga e parë pas ‘Dhemb’, që e riktheu në treg pas një viti, por vetëm si audio. “Kënga Magjike” u nxori mallin fansave për Florin dhe tani le të shohim se si do të jetë finalja sot për të dhe këngëtarët e tij.

/Panoramaplus.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura