Shuhet themeluesi i PS Luan Hajdaraga, Dokle: Iku njeriu pa hile, një mik që luftonim në kohën e idealeve dhe demokracisë së vërtetë

Jul 31, 2018 | 18:37
SHPËRNDAJE

Namik Dokle, bashkëpunëtori i vjetër i ish-minitrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaragës, qe u nda dje nga jeta, shprehu trishtimin e tij për humbjen e një miku, me të cilin sipas tij ka ndarë kohët e vështira në opozitë, por dhe idealet e së drejtës dhe të lirisë.

namik-dokle-keshilli-i-mandateve-e1439119257996

Në një mesazh dhënë gazetës “Panorama”, Dokle shkruan se “nuk do të kemi mes nesh njeriun e mirë dhe pa hile, intelektualin e vërtetë dhe jo të manipuluar, politikanin, sa të qetë aq edhe të vendosur, sa të thjeshtë aq edhe vizionar”.

“Dhimbje dhe trishtim të madh të shkakton një vdekje si ajo e mikut tim, Luan Hajdaraga. U nda nga ne një njeri që edhe për shumë kohë mund të vazhdonte bashkëudhëtimin me ne.

U nda nga jeta një mik dhe koleg, me të cilin punuam bashkë në kohërat më të vështira të opozitës në Shqipëri, por njëherësh edhe në kohën që idealet e së drejtës, të lirisë dhe demokracisë së vërtetë, gjallonin e na jepnin impulse për të mos u ndalur.

Nuk do të kemi mes nesh njeriun e mirë dhe pa hile, intelektualin e vërtetë dhe jo të manipuluar, politikanin, sa të qetë aq edhe të vendosur, sa të thjeshtë aq edhe vizionar. Të punoje përkrahë me Luanin, ndieje siguri dhe shpresë, qetësi dhe besim. Lamtumirë, mik i dashur!”, shkruan Dokle për Luan Hajdaragën, dhënë gazetës “Panorama”.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura