Shtrinë në tokë gazetarin që filmonte operacionin anti-drogë, SHÇBA nis hetimet për efektivët e policisë: Do verifikohet nëse ka…

Jul 27, 2021 | 17:08
SHPËRNDAJE

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Policisë së Shtetit kanë nisur hetimin për efektivët që dhunuan gazetarin e News24, Ergys Gjençaj gjatë operacionit antidrogë të zhvilluar pasditen e sotme.

SHÇBA njofton se do të verifikohet nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e policisë së shtetit.

Njoftimi i SHÇBA:

“Incidenti me gazetarin Gjençaj/SHÇBA nis verifikimin për veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit Menjëherë pasi u njoh përmes medias, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Tiranë, ka nisur verifikimet për të parë nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e TV News 24, z. Ergys Gjençaj, gjatë një operacioni në kryeqytet.

SHÇBA do të kryejë çdo veprim hetimor, për të zbardhur shpejt dhe saktë dinamikën dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla. SHÇBA garanton opinionin publik dhe mediat, se mbeten të angazhuar e të hapur për të bashkëpunuar në kuadër të informimit dhe transparencës me publikun.

Incidenti ndodhi pasditen e sotme në zonën e Varrit të Bamit në kryeqytet teksa policia po kryente një operacion antidrogë.

Efektivët shtrinë në tokë gazetarin Ergys Gjençaj i cili po filmonte momentet kur drejtuesi i një automjeti “Benz” iu arratis policisë gjatë këtij operacioni.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe Unioni i Gazetarëve i cili e konsideron aktin si “incident të rëndë” dhe sjelljen e “bluve” si “arrogancë policore”, ndërsa kërkon vënien para përgjegjësisë të aktorëve.

Lexoni edhe: Efektivët shtrinë përtokë reporterin teksa filmonte/ Reagon Unioni i Gazetarëve: Incident i rëndë, akt i pastër dhune dhe arrogance policore

 

© Panorama.al

Te lidhura