“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”/ Idrizi kujton viktimat e Holokaustit: Përulemi me mirënjohje ndaj heronjve që shpëtuan hebrenjtë

Jan 27, 2021 | 13:31
SHPËRNDAJE

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Në një reagim, Idrizi thotë se Holokausti është një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore.

shpetim-idrizi-1-640x448

Idrizi thotë se përulet me mirënjohje ndaj heronjve shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë sipas parimit “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Shpetim Idrizi shprehet se PDIU angazhohet për të bashkuar forcat me këdo që përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe kërkojë drejtësi për çështjet e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidet.

“27 janari, që përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau, shënohet si ditë e kujtesës së Holokausit , por edhe çdo gjenocidi tjetër.

Sot, ne nderojmë të mbijetuarit dhe historitë e tyre të guximit, shpresës dhe këmbënguljes kundër së keqes. Po ashtu, përulemi me mirënjohje ndaj heronjve shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë sipas parimit “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Përkujtimi i viktimave të Holokaustit mbetet i rëndësishëm për sa kohë që shprehjet e ndryshme të urrejtjes dhe dhunës me bazë racore, etnike, apo fetare vazhdojnë të rishfaqen në mënyra të ndryshme.

Harresa dhe mohimi i viktimave të gjenocidit, veçanërisht në nivelin shtetëror, është krim jo vetëm ndaj viktimave të pafajshme, por edhe brezave të ardhshëm pasi shkatërron përspektivën e paqtimit mes popujve.

Në këtë ditë, përulemi me nderim të thellë para kujtimit të viktimave të Holokaustit dhe shprehim solidaritetin tonë për popullin mik hebre dhe komunitetin hebre të Shqipërisë. Këtë vit, ne përkujtojmë 76-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ndaj askush nuk i kupton më mirë se ne dhimbjet e përmasave të tilla.

PDIU angazhohet për të bashkuar forcat me këdo që përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe kërkojë drejtësi për çëshjet e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidet.  “Kurrë më! – Never Again!”, thotë kreu i PDIU.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura