Shqipëria, një ndër “viktimat” e para të koalicionit ushtarak! 85 vjet nga pushtimi i Italisë fashiste, Besim Ndregjoni: Pse politika nuk i dënoi kurrë diktaturat

Apr 8, 2024 | 11:29
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ 7 prilli i vitit 1939 është shënuar si ‘e premtja e zezë’ në historinë e kombit shqiptar, pasi në këtë datë vendi ynë ra nën pushtimin e Italisë.

italia fashiste pushtim

Dje janë mbushur plot 85 vite nga mësymja e Italisë fashiste. Ish-i përndjekuri politik, Besim Ndregjoni, ka reaguar lidhur me këtë datë duke u përulur para figurës së heronjve kombëtarë.

“Mirënjohje shqiptarëve që përballuan fashizmin më 7 prill 1939. Nazizmin 1943. Komunizmin 1944. Si pinjoll i një familjeje që përballoi tri diktaturat, përulem ndaj dëshmorit Mujo Ulqinaku, ndaj komandantit major Abaz Kupit e ndaj luftëtarit antifashist e antikomunist Imer Ndregjoni!”, – shprehet Besim Ndregjoni.

Ai theksoi se Shqipëria nuk i ka dënuar krimet e diktaturës. “Sot politika shqiptare hesht ndaj veprave dhe vlerave të këtyre shqiptarëve, që i përballuan tri diktaturat duke qenë kombi më i persekutuar në Europë! Lavdi kombit dhe vlerave shqiptare. Këto data pushtimi diktatoriale na sjellin në vëmendje kujtesën “Të mos harrojmë se diktaturat përsëriten në mënyra të ndryshme. Shqipëria nuk i dënoi kurrë krimet e diktaturave siç veprojnë kombet e qytetëruara!”, – nënvizon ai.

Pasardhësi i fisit të Ndregjonëve, Besim Ndregjoni, sot është presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Ai vjen nga një familje fisnike, që u persekutua egërsisht nga regjimi komunist, që i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes dhe dy të tjerë ia mbyti në hetuesi. Pra, gjithsej 5 anëtarë. Babai i tij, Imer Ndregjoni, u dënua me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes, ku nga torturat u çmend në hetuesi edhe kunati (1982).

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i Besim Ndregjonit luftoi me armë në dorë bashkë me Abaz Kupin kundër fashizmit, në prill të 1939-ës. Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrenjsh nga gjenocidi nazist.

“Me ardhjen e sistemit pluralist, për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai im është shpallur ‘Qytetar Nderi’ i Dibrës (2003). Presidenti i Republikës, Alfred Mosiu, e ka dekoruar me ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’ si luftëtar antifashist dhe antikomunist (2004), me nr. dekreti 4307. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me rastin e 60-vjetorit të gjenocidit nazist mbi hebrenjtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, ‘Imer Ndregjoni’, me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrenjve gjatë okupacionit nazist, vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë”.

PUSHTIMI FASHIST

Shqipëria do të ishte një ndër viktimat e para të koalicionit ushtarak të Luftës së Dytë Botërore, Gjermani-Itali-Japoni, i cili kishte në plan copëtimin dhe pushtimin hap pas hapi të vendeve të ndryshme në Evropë, Azi dhe Afrikë. Gjeneral Messe dhe trupat e drejtuara prej tij hynë në Tiranë mëngjesin e 8 prillit 1939. Me rënien e kryeqytetit në duart e “Këmishave të Zeza”, Braselierëve, batalioneve Alpine, kompanive të motorizuara, regjimenteve tankiste dhe trupave të zakonshme të këmbësorëve, Shqipëria cilësohej e pushtuar nga ushtria italiane.

Beteja për marrjen e territorit kishte filluar më shumë se 24 orë më parë, mëngjesin e 7 prillit 1939, kur kryqëzorët, anijet e tjera të luftës, si dhe nëndetëset, të udhëhequra nga gjeneral Alfredo Guzzoni, i ishin afruar bregdetit shqiptar të Durrësit deri në bankinën e portit. Më parë se kaq, natën e 6 prillit 1939 të paktën 22 mijë burra, me uniforma ushtarake sipas reparteve dhe pajisje luftarake të përdorim it personal ishin nisur me anije nga tri portet e jugut të Italisë, për të njëjtin qëllim: të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri. Benito Musolini kishte firmosur aktin.

Agresioni fashist ndaj Shqipërisë nisi në një atmosferë të rënduar politike e ushtarake, pikërisht kur boshti Romë-Berlin-Tokio po shkonte me shpejtësi drejt Luftës së II Botërore. Ndër ushtarakët shqiptarë që udhëhoqën frontin e rezistencës shquheshin disa nënoficerë si Mujo Ulqinaku e Hamit Dollani, por gradën më të lartë ndër qëndrestarët e mbante major Abaz Kupi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura