Shqipëria në Panairin e Librit në Torino

May 20, 2015 | 10:28
SHPËRNDAJE

E përfaqësuar nga emrat e saj më të mëdhenj, letërsia shqipe u paraqit edhe këtë vit në Panairin Ndërkombëtar të Librit, që u zhvillua në Torino të Italisë, nga data 14 deri në 18 maj, përmes një stende të përgatitur nga Qendra e Kulturës Shqiptare. Panairi i Torinos është më i madhi në Itali dhe një prej më të rëndësishmëve në Europë dhe në rajonin e Mesdheut.

Kongoli ne Panairin e Librit ne Torino

Në të marrin pjesë mbi 1000 ekspozues, mijëra gazetarë nga e gjithë bota dhe mbi 350 mijë vizitorë, që ndjekin takimet e shumta që zhvillohen me autorët më të njohur italianë dhe ndërkombëtarë. Në këtë panair, Shqipëria ishte e pranishme me veprat e autorëve më të njohur shqiptarë të botuar në gjuhën italiane, ndër të cilët Kadare, Kongoli, Aliçka, Ceka, Zhiti, Kyçyku, Çuli, Mustafaj etj.

Një zë i veçantë ishte në të vepra e autorëve shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën italiane, si Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi. Nuk mund të mungonin as titujt e zgjedhur në gjuhën shqipe, veçanërisht të kërkuar nga të rinjtë shqiptarë që kanë lindur apo janë rritur në Itali dhe dëshirojnë të mbajnë gjallë lidhjet me gjuhën e shkruar të vendit të tyre të origjinës.

Gjatë ditëve të panairit, Qendra e Kulturës Shqiptare organizoi një seri takimesh dhe konferencash me autorë shqiptarë, ndër më të rëndësishmet ato me shkrimtarët Fatos Kongoli dhe Ornela Vorpsi, si edhe prezantimi i guidës “Tirana & Albania”, në prani të autorëve Gjata dhe Vietti. Takimet me shkrimtarët Kongoli dhe Vorpsi u organizuan pranë selive të bibliotekave kryesore të qytetit.

Ishin të shumtë të interesuarit për t’u njohur më nga afër me letërsinë bashkëkohore shqiptare. Takimet u pasuruan nga leximet e realizuara nga aktorët e trupës Teatro Stabile së Torino dhe nga intervalet muzikore të artisteve shqiptare Diana Subashi (violinë) dhe Lindita Kopliku (piano).

PROMOVIMI I TURIZMIT
Një hapësirë e posaçme e stendës iu kushtua edhe këtë vit promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik. Vizitorët patën mundësinë të tërhiqnin pranë stendës shqiptare materiale promocionale dhe informuese mbi mundësitë turistike që ofron vendi ynë, si edhe kopje të edicionit të dytë të guidës së suksesshme turistike “Tirana & Albania”, me autorë gazetarin Benko Gjata dhe antropologun Francesco Vietti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura