Shpopullim “bindës”, vizioni i “mirë”qeverisjes…

Feb 21, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA QEMAL ÇEKJU Emigracion-emigrim-azilkerkues-5-1053

Lëvizjet e njerëzve sot janë gjëja më normale, kjo jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shoqëritë në të gjithë botën. Dikush lëviz për një punë më të mirë apo për shkollimin e fëmijëve të tij. Por në Shqipëri nëse hapim statistikat e INSTAT, mund të themi që kemi një shpopullim real dhe të frikshëm.

Nëse analizojmë familjet që kanë ikur dhe që planifikojnë të ikin, arsyeja kryesore është shkollimi i fëmijëve. Kjo na bën të besojmë se sistemi arsimor ka dështuar. Kjo bëhet më alarmante kur shohim se nga ministri i Arsimit dhe gjithë ato që kanë një mundësi ekonomike, fëmijët e tyre i shkollojnë jashtë, apo në shkolla jopublike.

Kjo është pasqyrë ku shikohet e vërteta në sy, pasi vetë ata që janë përgjegjës të sistemit arsimor, nuk kanë besim në këtë sistem. Po çfarë po ndodh që sot kemi ulje dramatike të nxënësve në shkollë? Kjo ulje nuk ka asnjë logjikë matematikore apo statistikore, ka vetëm një të vërtetë të madhe, shpopullim masiv i familjeve nga Shqipëria. Ka më shumë se një vit që sipas INSTAT, lindin më shumë fëmijë shqiptarë jashtë Shqipërie se sa në vend.

A duhet që dikush të marrë daullet para institucioneve, apo ata që sot i quajnë shërbëtorë të popullit të mendojnë sinqerisht për ketë të keqe të përbashkët. Ne që flasim jemi shumë pak, por edhe kur flasim, na dërgojnë të fala nga miq e kolegë, të tipit “Po çfarë ju duhet juve aman?! Pse nuk rrini në punën tuaj?”. Vetë sistemi nuk reagon sepse po e mbysin me propagandë. Nëse mësuesit ngrenë zërin, ata i largojnë nga puna dhe e dini që mësuesi as me vendim gjykate nuk kthehet më në punë?! Atëherë ata kanë zgjedhur të hanë ato pesë lekë me një mijë fjalë e halle, duke propaganduar se rroga e tyre do të bëhet 920€, por në fakt një mësues në ciklin më kryesor në sistem, atë fillor, merr më pak se një sanitare. E kuptoni se ku jemi katandisur?

A mund të pyesim sot a kemi ndonjë studim apo strategji të hartuar për këto vite, se çfarë duhet të ndryshojmë në politikat tona ekonomike e arsimore, që sot të mos kemi 12 363 nxënës më pak në të gjithë Shqipërinë krahasuar me vitin e shkuar shkollor? Këto janë të dhëna që media merr nga sistemi, sepse ju të nderuar autorë qeveritarë të shkatërrimit shoqëror, nuk jepni asnjë informacion, sikur keni një mision real të detajuar për ta kolapsur sistemin arsimor dhe boshatisur vendin tonë. Në 4 vjet janë rreth 56 mijë nxënës më pak, 12 mijë diferenca me vitin e kaluar.

Akoma nuk e shikoni si një problem?! Asnjë qeveri më parë e sot në botë, nuk mund të thotë që kjo është një normalitet. Të gjitha çfarë kemi thënë këto vite, por dhe rekomandimet e donatorëve të arsimit, ndoshta janë dukur si prishje të rehatisë apo prishje e imazhit të qeverisë-fasadë, që mbahet vetëm me propagandë e fjalë boshe. Por realiteti i arsimit për fatin e keq është ky dhe pasojat do t’i shikojmë pas dy dekadave!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura