Shpërthimi me tritol në Mamurras, banesa është e vëllait të gjyqtarit që u shkarkua nga vetingu

Apr 16, 2021 | 14:47
SHPËRNDAJE

bib ndreca

Në banesën e shtetasit Shpëtim Ndreca, në Mamurras, mbrëmjen e të enjtes një sasi tritoli shpërtheu në oborr, duke krijuar panik e frikë tek pjesëtarët e familjes së tij.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Panorama” mëson se Shpëtim Ndreca është vëllai i gjyqtarit në Gjykatën e Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (GJKKO), Bib Ndreca.

Ky i fundit u shkarkua nga vettingu në 26 shkurt 2020, ndërsa më herët ka qenë edhe gjyqtar i mbrojtur nga shteti.

Policia ka nisur hetimet, teksa deri tani nuk ka asnje dyshim qe ngjarja te kete lidhje me vellane ish-gjyqtar te Shpetim Ndreces.

“Më datë 15.04.2021, rreth orës 21:45, në Mamurras, Kurbin, në oborrin e banesës së shtetasit Shpetim Ndreca, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse, e cila ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku po vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, informonte zyrtarisht policia te enjten.

***

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca, pasi u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për një apartament në Tiranë, si dhe pamundësi financiare për kryerjen e këtij investimi.

Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe ishte emëruar fillimisht në Gjykatën e Tropojës.

Në vitin 2013 u emëra kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura