Shoqërimi dhe hetimi i kontrollorëve të trafikut ajror, flet avokati: Nuk e di se cili është arsyetimi që bën prokuroria për…

Apr 8, 2021 | 9:16
SHPËRNDAJE

Avokati i kontrollorëve të trafikut ajror ka deklaruar se në komisariat janë shoqëruar 24 kontrollorë, 4 prej tyre pasi u morën në pyetje janë lënë të lirë.

Në një prononcim për mediat, avokati u shpreh se nuk mund të qëndrojë vepra penale e shpërdorimit të detyrës për kontrollorët, ndërkohë që ata nuk janë pjese e administratës shtetërorë.

“Shpërdorim detyrë është vepër penale që i  referohet punonjësve publikë, që do të thotë se duhet të jesh punonjës i administratës publike. Në rastin e kontrollorëve të trafikut ajror, nuk e di se cili është arsyetimi që bën prokuroria për ta futur në elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Albcontrolli është sh.a, aq më tepër që sipas të gjitha deklaratave është një etnitet i pavarur nga shteti shqiptar dhe nuk shoh të jetë funksion publik mbi të cilin të ngrihet kjo akuzë”, u shpreh avokati.

PROKURORIA NIS HETIMET

Ndërkohë Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tirane ka filluar hetimet për situatën e ndodhur ne aeroportin e Rinasit. Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me Shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana e oficereve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave te ngjarjes së ndodhur. Po vijojnë veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshire në këtë ngjarje.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura