Shoqëria e Librit, 5 ditë panair në Vlorë

Apr 18, 2011 | 11:16
SHPËRNDAJE

Për 5 ditë me radhë, nga data 20-24 prill, qyteti i Vlorës do të mikëpresë Panairin e Librit. Vetëm pak ditë pasi njoftuan shkëputjen nga shoqata “mëmë” e botuesve, Shoqëria e Librit Shqip organizon një panair libri. Rreth 40 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5.000 tituj të ekspozuar, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, vlonjatë dhe nga e gjithë bota shqiptare, do të marrin pjesë në këtë edicion të 12-të. Vlora është i vetmi qytet shqiptar që organizon dy panaire libri gjatë një viti. Një në pranverë, gjatë sezonit shkollor, që ndiqet me interesim mjaft të madh nga lexuesit vlonjatë, dhe tjetri gjatë stinës së verës, kur numri i banorëve të Vlorës trefishohet me pushues shqiptarë e të huaj. Për këtë (dhe jo vetëm) Vlora ka fituar statusin e qytetit, ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës. Organizatorët, “Shoqëria e Librit Shqip” dhe Bashkia e Vlorës, mbështeten në këtë edicion edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës, Biblioteka “Shefqet Musaraj”, Shoqata “Labëria”, Shoqata Kulturore Atdhetare “Ismail Qemali” etj. Gjatë ditëve të panairit do të organizohen veprimtari të shumta me librin, si takimet me krijuesit dhe përurimet e botimeve më të fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, por edhe veprimtari qendrore të programuara nga organizatorët. Ndër shkrimtarët që do të paraqesin botimet e tyre më të fundit para lexuesve janë edhe Fatos Kongoli, Diana Çuli, Ardian Klosi, Piro Misha, Futura Açka, Eva Gavani etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura