Shkarkimi i specialistëve të Hipotekës, Doracaj i përgjigjet Tabakut: Të gjithë punonjësit janë në punë

Nov 23, 2017 | 19:37
SHPËRNDAJE

Pas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, se punonjësit e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin kanë pezulluar punën, në shenjë proteste për shkarkimin e dy kolegëve të tyre, ka reaguar
Kryeregjistruesja, Blerina Doracaj.

doracaj4

E pyetur nga gazeta “Panorama”, nëse ka pasur ndalim të punës së punonjësve të Hipotekave, Doracaj tha se të gjithë specialistët kanë qenë në krye të detyrës duke i shërbyer qytetarëve.

“Specialistët e zyrave të hipotekave në mbarë vendin janë në krye të detyrës. Kushdo qoftë ai/ajo që nuk i përgjigjet në kohë qytetarëve, aq me keq kushdoqoftë ai/ajo që refuzon të bëjë detyrën e tij/saj në zbatim të ligjit, do të marrë ndëshkimin e merituar! Ky është vetëm fillimi!”, u shpreh kryeregjistruesja Doracaj.

Ajo ftoi qytetarët që të denoncojnë pranë Platformës së Bashkëqeverisjes çdo rast të abuzimit me detyrën të punonjësve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe koha e parave nën dorë ka mbaruar njëherë e mirë! Ftoj të gjithë qytetarët që kanë një denoncim për një rast konkret apo emër konkret, t’i drejtohen
“Platformës së Bashkëqeverisjes”! Reagimi, ashtu si sot, do të jetë i menjëhershëm! Ky është vazhdimi i punës që bashkë me kryeministrin Rama kemi nisur para 4 muajsh!”, u shpreh Doracaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura