Shitjet online/ Si u shmangën faturat tatimore për klientin final, hyrjet kontrabandë zbulohen pas 4 vitesh

Apr 12, 2022 | 10:21
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 22 urdhër-arreste pasi ka zbuluar një skeme për tregtimin e mallrave kontrabandë që shiten online, 16 prej të cilave janë ekzekutuar dje.

faqe-interneti-ecommerce

Bëhet fjalë për administratorët e 22 subjekteve që shesin mallra online dhe që prokuroria pretendon se prej më shumë se dy vitesh ata kanë kryer evazion fiskal. Ajo që bie në sy në këtë operacion dhe goditje të aktivitetit online është se nga 16 personat e arrestuar ditën e djeshme, 9 prej tyre janë femra, ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe një tjetër femër, duke e çuar në 10 numrin e femrave të akuzuara për këtë akt penal të regjistruar tashmë.

Pra, duke iu referuar të dhënave hetimore mësohet se kompanitë e këtyre shitjeve administrohen nga femra, pasi në 22 urdhër arreste 10 janë për administratore, ndërkohë 12 për meshkujt, prej të cilëve 7 janë arrestuar dhe 5 janë të shpallur në kërkim.

SKEMA, SI FUNKSIONIN FIRMAT “ON”

Përmes një njoftimi Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje mbi aksionin e gjerë. Bëhet me dije se këta persona kishin krijuar një skemë përmes së cilës evitonin detyrimet tatimore dhe fiskale të produkteve. Këto subjekte, porosisnin produkte përmes shërbimit postar privat, për të cilat nuk deklaronin shitje dhe për rrjedhojë nuk i faturohen kuponë tatimor klientit final.

“Për këtë fakt janë bërë këqyrjet e llogarive online në rrjetet sociale si “Instagram” dhe “Facebook” me të dhëna kryesisht mbi veshjet (brande dhe firma të ndryshme) dhe produkte të higjienës personale.

Këto produkte në disa prej rasteve shiten me çmim më të lartë se produkti origjinal ose në raste të tjera kanë çmim më të ulët duke lënë dyshime të arsyeshme për mënyrën e futjes së këtyre produkteve në treg apo cilësinë dhe origjinalitetin e tyre”-thuhet në dosjen hetimore.

Personat e arrestuar dhe ata te shpallur ne kërkim, nëpërmjet faqeve online në rrjete sociale, reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, dhe për shitjet e tyre, nuk jepnin faturë tatimore, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrolleve janë konstatuar pako postare ne sasi te konsiderueshme me vlera të ndryshme dhe pashoqëruar me kupon tatimor të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale Në këto subjekte janë gjetur sasi malli e konsiderueshme gati për tu dërguar tek klientët me mallra te ndryshme te pashoqëruara me asnjë dokumentacion doganor apo tatimor dhe dyshohet të jenë mallra të futura kontrabandë në territorin e Shqipërisë.

Në kategorinë e faqeve të evidentuara gjate procesit hetimor disa prej tyre janë subjekte që shesin mallrat ë shtrenjta duke i cilësuar si brande dhe të dyshuara si subjekte që shmangin regjimin doganor. Pjesa tjetër e subjekteve janë faqe të cilat shesin mallra me çmim më të lire të dyshuar me destinacion hyrës Turqinë dhe disa prej tyre imitacion të markave të njohura sportive kjo e parë dhe me çmimet që ato shfaqin në faqen e tyre. Në lidhje me këtë operacion deri më tani në pranga janë vënë 15 persona, mes tyre edhe 9 femra, të cilët tregtonin mallra kontrabandë.

DOSJA E PROKURORISË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar procesin penal nr.6759 viti 2021 për veprën penale të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Ky Procedim penal është hetuar ne unitet me P.p.nr.8390 viti 2021 për veprën penale “Tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitim i mallrave kontrabandë”, parashikuar nga nenet 178/1,179/1, të Kodit Penal ku nen drejtimin e Prokurorit Bledar Valikaj, janë kryer veprime te plota hetimore duke përfshirë dhe metodat speciale te hetimit duke finalizuar mëngjesin e datës 23.11.2021 operacionin e koduar “FAST DELIVERY”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i disa shtetasve dhe me pas u morën ne përgjegjësi penale bashkë me disa subjekte tregtare qe ofronin shërbimin privat postar, duke zbërthyer një skeme te magazinimit dhe tregtimit të mallrave kontrabandë, skemë që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare shtetit.

Nga hetimet fillimisht janë administruar informacionet të marra në rrugë operative dhe procedurale nga ana e policisë gjyqësore të Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për disa subjekte që krijonin dyshime se duke shfrytëzuar porositjen në rrugë virtuale dhe të pakontrollueshme nga organet tatimore, dhe me pas duke shfrytëzuar mënyrën e me shërbimin postar privat, tregtojnë në mënyrë të paligjshme produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë apo produkte për të cilat nuk deklarohet shitje dhe për rrjedhojë nuk i faturohen me kuponë tatimor klientit final.

Po kështu disa prej këtyre subjekteve dyshohet të jenë të pa riregjistruar në organin tatimor dhe QKB), si dhe nga informacionet e para të marra në rrugë operative dhe konkretisht në informacionin e datës 16.08.2021 me nr. protokolli 12657/1 nga AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) është përcjellë informacioni dhe shqetësimi mbi kontrollin dhe monitorimin e veprimtarisë të disa ofruesve të shërbimeve postare.

Nga kontrolli i ushtruar janë konstatuar subjekte tregtare të cilat ushtrojnë aktivitet informal, nëpërmjet rrjeteve sociale “Instagram”, “Facebook” etj. Pikërisht për këto fakte të renditura më sipër, por edhe nga diktimi aktual për shkak të “Covid 2019” u krijua një terren shumë i favorshëm dhe treg i pakontrolluar i tregtisë online duke bërë që shumë subjekte dhe persona fizikë të operojnë online duke abuzuar me mospagimin e detyrimeve fiskale dhe duke i shkaktuar kështu dëme të konsiderueshme financave të shtetit.

HETIMET

Për këtë fakt janë bërë këqyrjet e llogarive online në rrjetet sociale si “Instagram” dhe “Facebook” me të dhëna kryesisht mbi veshjet (brande dhe firma të ndryshme) dhe produkte të higjienës personale. Këto produkte në disa prej rasteve shiten me çmim më të lartë se produkti origjinal ose në raste të tjera kanë çmim më të ulët duke lënë dyshime të arsyeshme për mënyrën e futjes së këtyre produkteve në treg apo cilësinë dhe origjinalitetin e tyre.

Në vijim të veprimeve hetimore nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bazuar mbi informacione të të njëjtës natyrë është filluar procedimi nr.8390 viti 2021, për veprën penale “Tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitim i mallrave kontrabandë” parashikuar nga nenet 178/1, 179/1, të K. Penal procedim i cili është dërguar për gjykim nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë.

Në kuadër të këtij procedimi është kryer kontroll në bashkëpunim edhe me inspektorët e tatimeve në subjekte të ndryshme që operojnë në fushën e dërgesave postare ku janë konstatuar pako postare në sasi të konsiderueshme me vlera të ndryshme dhe pashoqëruar me kupon tatimor të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në këto subjekte janë gjetur sasi malli e konsiderueshme gati për tu dërguar te klientët me mallra të ndryshme të pashoqëruara me asnjë dokumentacion doganor apo tatimor dhe dyshohet të jenë mallra të futura kontrabandë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Mbas verifikimit në subjekt dhe dorëzimit të listës së klientëve nga subjekti në sistemin “Deepsee” dhe nga këqyrja e QKB është bërë i mundur identifikimi i subjekteve.

SUBJEKTET

Në kategorinë e faqeve të evidentuara gjate procesit hetimor disa prej tyre janë subjekte që shesin mallrat të shtrenjta duke i cilësuar si brande dhe të dyshuara si subjekte që shmangin regjimin doganor. Pjesa tjetër e subjekteve janë faqe të cilat shesin mallra me çmim më të lirë të dyshuar me destinacion hyrës Turqinë dhe disa prej tyre imitacion të markave të njohura sportive kjo e parë dhe me çmimet që ato shfaqin në faqen e tyre. Në vijim është verifikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ku për të gjithë individët apo shtetasit e poshtëshënuar të kemi një përgjigje nëse kanë kryer ose jo zhdoganime gjatë 3 viteve të fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura